Surprizat e tetorit
Më 29 tetor 2004, 4 ditë pas zgjedhjeve të kaluara presidenciale, Osama bin Laden theu heshtjen 3-vjeçare dhe nxori një mesazh të filmuar drejtuar popullit amerikan. Ai refuzoi të mbështesë ndonjërin kandidat, duke thënë “se siguria nuk është në dorë të Kerry-t apo Bush-it, por të al-Qaedas”. Rishfaqja në publik e liderit terrorist nuk qe lajm i mirë për kandidatin John Kerry, i cili, sa u përket pikëve për antiterrorizmin qe poshtë Bushit. Teksa fushata e këtij viti hyn në javët e fundit, mundësia e një “surprize tetori” nga armiqtë terroristë të SHBA me siguri peshon shumë në mendjen e kandidatit demokrat, Barack Obama. Por publikisht kjo temë mbetet tabu, siç e kuptoi fare mirë këshilltari i McCain-it, Charlie Black, kur deklaroi se një sulm terrorist në tokën amerikane do të qe një “avantazh i madh” për republikanin. Black më vonë kërkoi falje. Duke lënë mënjanë çështjen e taktit, a kishte të drejtë Black? Intuitivisht duket e qartë se McCain, duke parë avantazhin në çështjet e sigurisë kombëtare dhe dobësinë në ato të ekonomisë, do të përfitonte nga një sulm. Por a mund të vërtetohet lidhja mes terrorizmit dhe rezultateve zgjedhore? Sa i madh është efekti? Për të gjetur përgjigjen e kësaj pyetjeje, duhet të shohësh atë shtet që ka të dhëna të mjaftueshme terrorizmi dhe zgjedhjesh: Izraelin. “Fakti që Izraeli vuan nga aq shumë terrorizëm, është në fakt një fat i mirë sa i përket analizës ekonometrike”, - thotë ekonomisti Claude Berrebi i “Rand Corporation”. “Të jep të dhëna të mjaftueshme për të nxjerrë konkluzione mbi efektin”. Bashkë me Esteban Klor të universitetit hebre të Jerusalemit, Berebi ka ekzaminuar kohët e fundit se si sulmet terroriste kanë ndikuar në rezultatet elektorale në Izrael që nga viti 1998. Berrebi dhe Klor besojnë se fitoret e ngushta të Partisë Likud në vitet 1988 dhe 1996, u atribuohen tërësisht sulmeve terroriste. Në zgjedhjet e vitit 1992, të cilat partitë e majta i fituan me vetëm dy vende më shumë, edhe një tjetër sulm në muajt e fundit para zgjedhjeve do të kishte mjaftuar për t'i dhënë shumicën të djathtës. Raporti ia atribuon avantazhin që e djathta ka ndaj terrorizmit qëndrimit të saj të ashpër, si dhe kundërshtimit për lëshime ndaj kërkesave të palestinezëve. “Kur terrorizmi arrin një nivel të caktuar, votuesit arrijnë në përfundimin se nuk ka alternativë tjetër përveç ashpërsimit”, - thotë Berrebi. Studimi arriti në konkluzionin se në rastet kur e majta kishte pushtetin, tendenca ishte që të humbiste mbështetje pas sulmeve, ndërkohë që kur në pushtet ishte e djathta, tendenca ishte që të rriteshin pikët për të. Atëherë, përse terroristët vazhdojnë të sulmojnë, kur veprimet e tyre kanë prirjen të sjellin në pushtet qeveri që janë më pak të prirura t'u bëjnë lëshime? Berrebi dyshon që ata thjesht mund të sillen në mënyrë joracionale apo janë injorantë për efektin. “Kërkimet tona të kaluara kanë treguar se sjellja e terroristëve është shumë racionale, ndonjëherë madje më shumë se liderët në Perëndim”, - thotë ai. Më shumë gjasa ka që ata të jenë duke u përpjekur të shkaktojnë një cikël dhune me një qeveri më agresive se sa duhet, që do të përfundonte në shkatërrimin e Izraelit ose, sipas shpjegimit që preferon Berrebi, ata shpresojnë që sulmet terroriste do të detyrojë të gjithë spektrin politik, duke përfshirë të djathtën, që në terma afatgjatë të kalojnë në një qëndrim më të moderuar. Është e vështirë të thuash si do të ndryshonte tendenca në territore të tjera. Në vende të tjera të goditura nga terrorizmi, si Iraku dhe Sri Lanka, nuk ka të dhëna të mjaftueshme cilësore për një studim të përshtatshëm. Dhe, në shumicën e demokracive të zhvilluara, fatmirësisht nuk ka shumë incidente terroriste për t'i ekzaminuar. Zgjedhjet e përgjithshme në Spanjë në vitin 2004, që erdhën pak ditë pas vendosjes së bombave në stacionin e trenit në Madrid, që shkaktoi vdekjen e 200 vetave, vijnë si një kundërshembull interesant. Në vend që të fuqizonin qeverinë konservatore, sulmi ndihmoi sfidantin e majtë, José Luis Rodríguez Zapatero, i cili kandidonte me një platformë për tërheqjen e trupave spanjolle nga Iraku, që të nxirrte jashtë loje Aznarin që ishte në pushtet. Berrebi vëren se, ndonëse votuesit përreth botës janë universalisht të ndikuar nga terrorizmi, reagimet e tyre të menjëhershme mund të ndryshojnë. Për shembull, prania e trupave spanjolle në Irak u pa nga elektorati si një pengesë dhe jo si një metodë e domosdoshme për të luftuar terrorizmin. “Në rastin e Madridit terrorizmi islamik qe diçka shumë e re. Dhe ata mund ta kenë parë tërheqjen nga Iraku si zgjidhjen e menjëhershme për konfliktin”. Në kontekstin politik të SHBA, madhësia e mostrës është po ashtu e vogël. Por rritja e popullaritetit të Bushit pas sulmeve të 11 Shtatorit dhe ndërhyrja me mesazh filmik e Bin Ladenit më 2004, tregojnë se republikanët do të përfitonin më shumë nga ndonjë veprimtari e mundshme terroriste në prag të ditës së zgjedhjeve. Atëherë, si duhet t'i mbajmë terroristët jashtë procesit demokratik? Sipas Berrebi-t dhe Klor-it, kyçi është që të neutralizohet terrorizmi si çështje politike. “Kur politikëbërësit bëjnë shumë deklarata për problemin, kjo gjë e rrit spikatjen e tij dhe i bën votuesit më të ndjeshëm”, - thotë Berrebi. “Kjo do të thotë një rritje e impaktit potencial të një sulmi”.
Çfarë do të thotë kjo për një impakt të mundshëm të “surprizës së tetorit” në garën amerikane për president? Pavarësisht ekonomisë në vështirësi, shqetësimet për terrorizmin mbeten çuditërisht të larta në këto zgjedhje. Obama është sulmuar në reklama e fjalime se është “rrezikshëm i papërgatitur” për të mbrojtur Shtetet e Bashkuara ndaj rreziqeve terroriste dhe kohët e fundit, “se shoqërohet me terroristë”. Kandidatura e McCain-it bazohet në një pjesë të madhe mbi argumentin se ai është njeriu më i mirëkualifikuar për të mbajtur vendin të sigurt nga sulme terroriste. Duke ndjekur leksionin që ka mësuar me vuajtje Izraeli, një hap i parë shumë i mirë do të ishte të ulej disi intensiteti i kësaj retorike.