E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apel publik për pronën në zonën turistike

Nga Niko Nesturi*

Drejtuar ambasadorëve të KE, të BE dhe NATO-s në Shqipëri

Të nderuar zotërinj

Duke ju falënderuar publikisht për përpjekjet dhe asistencën tuaj për të detyruar politikanët shqiptarë të futen në rrugën e demokracisë dhe duke pohuar kënaqësinë dhe kërkesën e popullit që dëshiron futjen në BE dhe në NATO, në emër të Kryesisë së Shoqatës AK “Bregdeti” ju drejtohem me këtë apel publik, për të ndikuar që vullneti politik shqiptar të mos vazhdojë të shpërdorojë dhe abuzojë më tej me durimin e të shpronësuarve. Kushtetuta i përcakton qartë rastet e kufizimit të lirisë së veprimtarisë ekonomike, për arsye të rëndësishme publike, por kjo duhet bërë vetëm me ligj (neni 11/3).

Kuptohet se këto ligje duhet të jenë në përputhje me detyrimet kushtetuese se, sipas nenit 17, kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë, pa cenuar thelbin e lirive dhe të drejtave dhe pa tejkaluar në asnjë rast kufizimet e parashikuara në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Organet e pushtetit publik, në përmbushje të detyrave të tyre duhet të respektojnë “Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut” dhe të kontribuojnë për realizimin e tyre (neni 15/2). Prona e marrë pa të drejtë dhe e emërtuar “Pronë shtetërore” nga regjimi i diktaturës së kaluar edhe sot në vitin 2008, nuk iu është kthyer të zotëve, edhe pse janë troje të lira, por vazhdojnë të pushtohen nga ndërtimet pa leje dhe policia ndërtimore nuk vepron.

Që të kuptohet dhe të lehtësohet problemi, duhet të ndahet procesi i kthimit nga kompensimi, qoftë ai fizik apo monetar, pasi ligjet e deritanishme që në titull, kur thonë “Ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave”, me qëllim manipulimi nuk e ndajnë procesin e kthimit veç nga kompensimi. Lidhur me kthimin fizik të pronave subjekteve të shpronësuar në zonën turistike procesi është i thjeshtë, nëse nuk sabotohet dhe për këdo është e qartë se:

1. Është i nevojshëm korrigjimi urgjent i legjislacionit gjysmak që formalisht e njeh të drejtën e pronës, por arbitrarisht e mohon kthimin real të pronës tek i zoti dhe kështu padrejtësia nga regjimi i diktaturës komuniste vazhdon të thellohet.

2. Se mos kthimi i pronës ka shkak pengesat artificiale ligjore, që bien ndesh me Kushtetutën.

3. Se pa zgjidhjen e drejtë të problemit të pronës është e pamundur anëtarësimi real në NATO dhe BE.

4. Se kthimi fizik, siç e propozojmë ne, është e vetmja zgjidhje në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe pa faturë financiare.

5. Se platforma e kompensimit dhe e legalizimeve siç po kërkohet sot nga qeveria, është e gabuar, së pari se shkel parimet e nenit 41 të Kushtetutës dhe, së dyti, realisht nuk mund të realizohet as nga pikëpamja financiare qoftë dhe për 1000 vjet.

6. Se të gjitha shtetet e ish-kampit socialist e kanë kthyer pronën tek i zoti.

7. Se të shpronësuarit e zonës turistike Vlorë-Sarandë vazhdojnë të jenë viktima të interesave të klaneve dhe prona e tyre iu është dhënë “për frymë” personave të tretë, që nuk kanë asnjë të titull pronësie për atë pronë ose është ndarë sipas zërave kadastralë si në asnjë vend tjetër të ish-kampit komunist, vetëm e vetëm që të përfitojnë klanet e pushtetarëve.

8. Se me ligjet ekzistuese Komisioni i Kthimit të Pronës në qark dhe Agjencia Qendrore në Tiranë prej krijimit e deri sot, më shpesh ka funksionuar si mekanizëm për vjedhjen e pronarëve të ligjshëm dhe nxjerrjen e vendimeve sipas interesave klanore, çka i kthen këto organe shtetërore në qendra korrupsioni. Qeveria çdo 3 -6 muaj ndryshon kryetarët dhe pushon nëpunësit, por nuk shpall të pavlefshme aktet e kryera në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën

9. Se jemi me vonesë për t’i thënë “STOP!” korrupsionit, grabitjeve, dhe konflikteve që burojnë nga moskthimi i pronës tek i zoti, padrejtësi që vazhdon që prej vitit 1945, padrejtësi që në vitin 2003-2004 u mbrojt nga ambasadori i OSBE, zoti Liponen, nën kujdesin e të cilit u formulua ligji “Për kthimin dhe kompensimin pronave”, që u miratua në vitin 2004 që në aneksin 1 mbronte Ligjin 7501 dhe vjedhjet e trojeve të zonës turistike dhe justifikonte mosrespektimin e titujve të pronësisë, pa pyetur për detyrime kushtetuese dhe për konventat apo kërkesat e institucioneve evropiane.

10. Ne nuk kemi nevojë për njohje të së drejtës së pronësisë, se këtë të drejtë na e kanë lënë dhe ne e trashëgojmë nga prindërit tanë dhe këtë e kanë theksuar disa vendime unifikuese të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese, vendime të cilat deputetët nuk duan t’i marrin në konsideratë.

11. Lidhur me respektimin e të drejtës së pronës kërkojmë barazinë para ligjit, se shteti nuk mund të lejohet të veprojë ndryshe me institucionet fetare, dhe në krahinat e veriut në kontrast me anarkinë, grabitjet, korrupsione të pandëshkuara dhe legalizime të vjedhjes në zonat turistike. Konfliktet e krijuara artificialisht në zonat e turistike të bregdetit Vlorë -Sarandë shuhen vetëm kur prona të shkojë tek i zoti, ashtu siç është vepruar thuajse tërësisht në të gjithë zonat e veriut si Tropojë, Dibër, Pukë, Lezhë, Mat, Kukës, Malësi e Madhe, Krujë Librazhd dhe pjesërisht në Shkodër, Pogradec e Tepelenë dhe siç u angazhua kryeministri Berisha se do ta bëjë sa më shpejt edhe me institucionet fetare. Të njëjtën gjë kërkojmë edhe për zonat turistike.

12. Po nuk u ndryshuan ligjet aktuale që favorizojnë konfliktin e vazhdueshëm dhe vetëgjyqësinë që krijon grabitja dhe pushtimi i pronës private, rrezikohen interesat kombëtare, thjesht për të mbrojtur interesat klanore.

13. Kthimi i pronës tek i zoti ndërpret arbitraritetin dhe korrupsionin e lartë në KKKP, KRRT, ZRPP, AKKP, në gjykata etj., dhe ndërpret shkatërrimin barbar të plantacioneve të ullinjve, agrumeve pemishteve që i japin vlera të veçanta zonave turistike.

14. Legjislacioni aktual dhe moskthimi i pronës tek i zoti është shkak për nivelet e ulëta të investimeve private nga partnerë seriozë të huaj në fushën e turizmit. Mosrespektimi i titujve të pronësisë në zonën turistike shkel kërkesat e nenit 191 të dokumentit nr. 11115 datë 20 dhjetor 2006 të Asamblesë Parlamentare të KE dhe prona është dhe do të jetë pengesa reale që Shqipëria të mos pranohet në NATO dhe BE.

15. Manipulimet dhe abuzimet e Komitetit të Zhvillimit të Turizmit nëpërmjet aplikimit të titullit “Personi i stimuluar”, në periudhën 1995-2006 janë shfrytëzuar për t'i krijuar mundësi përfitimi të padrejtë disa individëve dhe funksionarëve të lartë të politikës së majtë apo të djathtë, që ndodhen prapa tyre, por jo zhvillimit të turizmit, për të cilin institucionet e specializuara ndërkombëtare e renditën Shqipërinë nga fundi i klasifikimit.

16. Kthimi i pronës tek i zoti do të jetë faktor për të ndaluar largimin e rinisë nga vendi me gomone dhe varka e rrugë të tjera të rrezikshme, të paligjshme dhe

vdekjeprurëse.

17. Është koha për t’i rilexuar dhe analizuar kërkesat e peticioneve të shumta për pronën përfshi peticionin e intelektualëve të kryeqytetit dhe ato të kuvendeve nga fshatra e zona nga e gjithë Shqipëria, si dhe ato të Kuvendit Mbarëbregdetar, të kërkesave të përsëritura të Këshillit të Evropës dhe BE për zgjidhjen e drejtë dhe ligjore të problemit të së drejtës mbi pronën e mohuar.

18. Askush nuk do të vërë re se Ligji 7501, që realisht është zbatuar vetëm në 23-25 % të sipërfaqes së vendit, nga Ministria e Bujqësisë është raportuar dhe vazhdon të raportohet sikur është zbatuar në mbi 97% të vendit. Ky ligj që i përket tokave të kooperativave bujqësore nuk mund të aplikohet në zonat turistike të përcaktuara me vendimin e qeverisë nr. 88 datë 1.3.1993, pasi kjo zonë me këtë vendim të firmosur nga zoti Sali Berisha dhe duhet të trajtohet si truall dhe në këtë zonë shteti duhet të ndajë e të mbrojë ato toka që para vitit 1945 i përkasin shtetit. Shteti nuk është pronar i pronave që ne na i ka grabitur diktatura, se kudo në botë prona e grabitur i kthehet të zotit. Vëmë re se Ligji 7501 që është mbrojtur me fanatizëm nga klani i deputetëve dhe pushtetarëve hajdutë dhe të papërgjegjshëm, që refuzojnë çdo ballafaqim publik duke thënë se prekja e këtij ligji nuk mund të bëhet, sepse do krijonte probleme sociale. Që kjo është një gënjeshtër, këtë e dinë të gjithë përfshi edhe ata që e thonë.

Kemi bindjen se miratimi me procedurë të shpejtuar i këtij projektligji për kthimin fizik (jo kompensim) të trojeve turistike do të shlyej detyrimin moral dhe kushtetues (neni 181 i Kushtetutës), për t’u kthyer pronën të zotëve dhe njëkohësisht do të ligjërojë dhe rregullimin për një pjesë të efekteve që kanë rrjedhur nga artificet juridiko-formale që pas vitit 1991, padrejtësisht e penguan kthimin e pronës tek i zoti dhe që po vazhdojnë edhe sot. Qendra Shqiptare e të Drejtave të Njeriut dhe Shërbimi Ligjor Falas, - TLAS CAFOD, Shqipëri, në shtator 2000 ka paraqitur te presidenti, Kryesia e Kuvendit dhe kryeministri i kohës, një studim juridik të detajuar për të drejtën e pronës dhe pjesën më kryesore të legjislacionit në fuqi që e shkelte të drejtën e pronës dhe Kushtetutën në fuqi. Ky studim juridik ra në vesh të shurdhër të oligarkisë së politikanëve, që kanë abuzuar dhe përfituar padrejtësisht nga mishmashi me titujt e pronësisë në zonën turistike. Ata nuk janë të interesuar për zgjidhjen e këtij problemi themelor dhe e deklarojnë pronën si “problem të tejkaluar” ose “problem të zgjidhur me ligj”, ose “çështje që nuk përbën problem shqetësues”, ose “problem shumë i vështirë për t'u zgjidhur”, kur realisht po të ketë vullnet politik për të zbatuar parimet dhe frymën e Kushtetutës, zgjidhja është e thjeshtë.

Në këtë grackë kanë rënë dhe specialistët gjermanë të universitetit të Graz-it (“Property Restitution in Albania” Briefing for the Foreign Affairs Committee of the European Parliament made under the framework contract with the Trans European Policy Studies Association (TEPSA), 17 June 2008). Në këtë analizë, procesi i kthimit të pronës pasqyrohet ashtu siç e paraqesin politikanët, problemi paraqitet si shumë i vështirë dhe rrugëzgjidhja aludohet te kompensimi dhe rritja e fondeve për kompensim dhe jo te kthimi fizik dhe respektimi i parimeve kushtetuese dhe ndërkombëtare duke respektuar titujt e pronësisë në përputhje me detyrimet kushtetuese (neni 181) dhe kërkesat e KE përfshi dhe kërkesat e fundit të KE të 20 dhjetorit 2006.

Në mungesë të vullnetit politik dhe aftësisë së tij për të manipuluar me instancat ndërkombëtare, për të mos kaluar në vetëgjyqësi zgjidhja më e mirë është kushtëzimi i qeverisë shqiptare nga Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian që për zonat turistike të miratohet me procedurë të shpejtuar ligji që kthen pronat në përputhje me kërkesat e nenit 191 të dokumentit nr. 11115. datë 20 dhjetor 2006 të Asamblesë Parlamentare të KE. Një ligj i tillë, i konceptuar si pjesë e reformës në ekonomi dhe masave antikorrupsion. do të kontribuojë në mënyrë të ndjeshme në uljen e tensioneve sociale, në pakësimin e ndjeshëm të konflikteve për pronën, të pushtimeve arbitrare të trojeve, do të frenojë shkatërrimin urbanistik të zonës turistike nga ndërtimet e paligjshme. Kjo ndërhyrje e faktorit ndërkombëtar do të jetë përcaktuese për vendosjen e rendit, mbrojtjen e mjedisit, zhvillimin e turizmit dhe krijimin e kushteve për investimet serioze private të huaja, me perspektivë për hapjen e vendeve të punës, si dhe kushte për stabilitet e zhvillim ekonomik të zonave turistike, për futjen në NATO dhe BE.

*Kryetar i Shoqatës AK “Bregdeti”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›