Van Persi, arma e fshehtë e portokallinjve

Luan si një zot, por nuk ka qenë kurrë titullar. Çmend tifozët e Holandës, por jo ata të Arsenalit, të cilët u kanë kërkuar drejtuesve të skuadrës shitjen e lojtarit. Në 2002-in, Robin Van Persi ishte vetëm 18 vjeç dhe ishte talenti më i mirë që ishte rritur në atë kohë. Sulmues i majtë, i karakterizuar nga një forcë e madhe fizike dhe një teknikë shumë e mirë. Venger arriti ta “rrëmbente” nga Fejnordi në një operacion blic pas një konkurrence shumë të madhe. Por në Londër, lojtari holandez sikur ka humbur disi, pasi një pjesë të mirë të kohës e kalonte duke drejtuar makinën në gjendje të dehur, ose mes skandaleve me drita të kuqe. Por është dashur besimi që i ka dhënë trajneri i Holandës, Marko Van Basten, për të kthyer edhe njëherë Van Persin në qendër të vëmendjes. Përpara këtij Evropiani, prezenca e tij nuk ishte e sigurt, por trajneri i “Tulipanëve” vendosi ta grumbullojë, edhe pse lojtari nuk gëzonte një formë të mirë fizike, për shkak të dëmtimeve. Por grumbullimi i tij ka rezultuar shumë vendimtar, pasi Holanda ka tashmë armën e saj të fshehtë, që quhet Robin Van Persi.