E Diel, 1 Nëntor 2026

Kroati Ilija Lonçareviç, trajner i ri i Tiranës

Tiranë- Tekniku kroat, Ilija Loncarevic pritet të firmosë sot kontratën si trajner i Tiranës dhe më pas të ketë një prezantim me mediat. Mbrëmjen e së premtes, trajneri kroat u takua me kryedonatorin e kampionëve të Shqipërisë, Refik Halili për të diskutuar detajet e fundit, pasi gjithçka duket e mbyllur edhe pse kontrata do të firmoset sot.

Lonçarevic, 65 vjeç, ka një karrierë të gjatë si trajner. Ai ka drejtuar shumë skuadra kroate të njohura si, Dinamo e Zagrebit, Osijeku, Rijeka etj. Karrierën si teknik e nisi në vitin 1987 me Inker Zapresiç, me të cilën fitoi edhe Kupën e Kroacisë (1992). Suksesin me te madh e ka me Dinamon e Zagrebit, ku fitoi titullin në vitin 1999.

Ai ka drejtuar edhe skuadrat Nk Zagreb, Marsonia, Osijek, Rijeka dhe Sllaven Belupo. Gjithashtu ka eksperiencë edhe në drejtimin e kombëtareve, pasi ka trajnuar dy herë më parë Libinë: në 2003-2004 dhe në 2005-2006. Ndërsa që nga ajo kohe ka drejtuar Osijekun.

Lonçareviç nuk është një kandidat i panjohur për kryedonatorin e Tiranës, Refik Halili, pasi ëndrra e tij, para se të merrte Slishkoviçin në fillim të sezonit të sapombyllur, kishte qenë Lonçareviç.

Kryedonatori Halili konfirmon se kishte prej një viti kontakte me trajnerin kroat, i cili ka pritur përfundimin e kontratës që kishte me skuadrën e fundit që drejtoi në Kroaci, NK Osijek për të vendosur që të vinte në Tiranë.

“Ardhja e Lonçareviç në drejtimin e Tiranës tregon qartë për synimet që ka kjo skuadër në Ligën e Kampioneve”, u shpreh Halili.

Emri i i Lonçarevic është i njohur për shqiptarët, pasi ai ishte një ndër kandidatët e fortë për të marrë drejtimin e përfaqësueses kuqezi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›