Krokodilët “pushtojnë” Tajlandën

Qindra ekzemplarë kanë arritur të largohen nga vendet e mbarështimit, duke përfituar nga rritja e nivelit të ujërave dhe tashmë janë të lirë në qytet.
Autoritetet kanë ofruar nga 25 euro shpërblim, për çdo krokodil të kapur nga banorët e zonës.
“Krokodilët duhet të kapen për sigurinë e banorëve. Po bashkëpunojmë me departamentin e peshkimit për të zbuluar se në çfarë zonash ndodhen.
Përveç krokodilëve, rrezikohemi edhe nga gjarpërinjtë dhe tigrat”, ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Vitthaya Buranasiri.
Përmbytjet që përfshinë Tajlandën janë më të rëndat e dhjetëvjeçarëve të fundit dhe kanë prekur një të tretën e territorit të vendit, duke shkaktuar rreth 300 të vdekur.
Mësohet se ujërat kanë arritur edhe qendrën e Bangkokut me 12 milionë banorë.
Për momentin aeroporti ndërkombëtar është ende në funksion.