E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi e Jahjaga festojnë 12-vjetorin e PDK’së

PDK festoi 12-vjetorin. Të pranishmëve iu ka drejtuar Lideri i kësaj partie, Hashim Thaçi dhe Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.

Partia Demokratike e Kosovës ka festuar 12-vjetorin e themelimit.

Ndeja është zhvilluar mbrëmjen e sotshme, në Hotel Emerald, derisa aty kanë marrë pjesë anëtarë të strukturave të PDK’së, përfaqësues të korit diplomatikë të akredituar në Kosovës.

E pranishme, ka qenë edhe Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, e cila ka mbajtur një fjalim para të pranishmëve.

Në event, natyrisht, nuk ka qenë i pranishëm Nënkryetari i PDK’së, Fatmir Limaj, për shkak se ai ndodhet në arrest shtëpiak - nën akuzën për krime lufte.

Në fjalën e tij, Kryetari i PDK’së, njëherësh Kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur për sukseset e arritura gjatë këtyre dymbëdhjetë vjetëve, por ka përmendur edhe gabimet dhe lëshimet e kësaj partie.

“Rruga jonë tash ka vetëm një qëllim, forcimin e shtetit të Kosovës dhe integrimin në Bashkimin Europian”, ka thënë Thaçi.

Presidentja Jahjaga, ndërkaq, ka lavdëruar kontributin e kësaj partie.

E madje, ajo ka përmendur sloganin e PDK’së në zgjedhjet e fundit “Së pari Kosova” në kontekst të qasjes së kësaj partie ndaj proceseve të përgjithshme politike në vend.

“Ideja e organizimit në parimin “Së pari Kosova” bëri që kjo parti të zgjerohet dhe të bëjë ndryshimet krahas kërkesave bashkëkohore, duke u transformuar dhe duke u përshtatur. Me Partinë Demokratike të Kosovës, ashtu si edhe me partitë e tjera të Kosovës, lidhen sukseset e pavarësisë dhe të prosperitetit të vendit, proceset demokratike, liria e shprehjes dhe e organizimit politik, e mbajtjes së zgjedhjeve lokale dhe parlamentare”, ka thënë ajo.

Ne festë ka qenë edhe Jakup Krasniqi, Sekretar i Përgjithshëm i PDK’së dhe Kryetar i Parlamentit të Kosovës, por nuk iu ka drejtuar të pranishmëve. Ai ka shkuar atje më një gjysmë orë vonesë dhe të shumtën e kohës ka ndenjur anash.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›