E Diel, 1 Nëntor 2026

Kronika/Elvis Çefa, anëtari i ri i KLD-së, socialistëve u dështon skenari për grusht shteti brenda parlamentit

13-04-2012 / Gazeta 55

Mazhoranca e kryesuar nga Partia Demokratike kaloi me sukses “testin” në Kuvend, duke u konfirmuar solide dhe e fortë, pavarësisht provokimeve dhe lëvizjeve me tentativë bllokimi të Partisë Socialiste. Elvis Çefa, kandidati i propozuar nga Partia Demokratike për vendin vakant në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, mori 71 vota të cilat në kushtet e mos votimit të opozitës, heqin çdo dyshim se ato janë të mazhorancës. Tre deputetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Meta, Tavo dhe Koka nuk morën pjesë në votim, ndërkohë që mazhoranca arriti kuotën e 71 votave “pro” kandidaturës së Elvzis Cefës.
Që në fillim të procesit të votimit opozita shfaqi hapur frikë në numrat e saj, fillimisht duke mos besuar në votimin e fshehtë me elektronikë, e më pas duke braktisur dhe votimin me kuti të cilin e propozoi vetë. Madje opozita ushtroi dhunë në prag të seancës me në krye kreun e saj të grupit parlamentar, Gramoz Ruçin, i cili rrëmbeu fletët e votimit, duke demonstruar haptazi tentativën për të dhunuar institucionin e parlamentit dhe nxjerrjen e tij jashtë funksionimit në bazë të rregullores. Ndërsa socialisti Armando Subashi braktisi detyrën e anëtarit të sekretariatit të votimit, për përfaqësuesit e mazhorancës, opozita tentoi ndryshimin e procedurës 20 vjeçare të votimit të fshehtë me kuti. Në këto kushte të braktisjes së komisionit nga opozita, kryeparlamentarja njoftoi procedimin me votimin e fshehtë elektronik, siç e parashikon rregullorja e Kuvendit. Por mbi të gjitha ky proces dëshmoi se opozita u tall në mënyrën më të hapur me Ardjan Vishën, fillimisht duke e kandiduar me qëllim, provokimin e diversionit në radhët e mazhorancës e më pas duke e braktisur atë në procesin e votimit.
Mazhoranca e kishte deklaruar votën kundër kandidatit, Ardian Visha edhe gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Ligjeve, duke e cilësuar atë si një kandidaturë që nuk prodhon besueshmëri në një institucion delikat, siç ai i administrimit të sistemit gjyqësor. Siç u konfirmua nga votimi, mazhoranca është solide dhe opozita dështoi dhe në këtë përpjekje të saj.
 
Kush është Elvis Çefa
Anëtari i ri i KLD-së, Elvis Cefa, 39 vjeç, i cili më parë ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave është diplomuar në vitin 1996 në Fakulteti e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Në vitet 1996-2000 ka punuar inspektor në Kontrollin e Lartë të Shtetit, për të vijuar më pas me pozicionin e drejtorit të Departamentit Rajonal Tiranë të KLSH-së. Në vitet 2000-2004 ka qenë inspektor në Drejtorinë e Kontrollit Financiar, pranë Prefektit të Qarkut Tiranë. Nga maj 2004-janar 2005 mbante detyrën e juristit në Drejtorinë e Auditimit të Brendshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, ndërsa në vitet 2005-2006, atë të juristit në Departamentin Juridik dhe Kontrollit të Cilësisë në KLSH, Tiranë. Në vitet 2006-2009 ka punuar inspektor në Departamentin e Kontrollit të Brendshëm Administrativ dhe Antikorrupsion në Këshillin e Ministrave. Në karrierën profesionale të Elvis Cefës përfshihen dhe një numër trajnimesh brenda dhe jashtë vendit në fushën e auditimit në sektorin publik, për praktikat anti-korrupsion etj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›