“S’ka asnjë lajm, Qeveria i ka votat për të funksionuar si mazhorancë”
Deklarata e Ilir Metës
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta u shpreh dje se qeveria PD-LSI, i ka votat për të funksionuar si mazhorancë e vendit, pavarësisht strategjive të opozitës. Meta tha se është në natyrën e opozitës së viteve të fundit që të politizojë çdo çështje, edhe ato që lidhen me rregullimin e sistemit të drejtësisë.
“Opozita kërkon të politizojë në mënyrë maksimale raporte të tilla, si ai në seancën e sotme (dje). Qeveria i ka votat për të funksionuar si mazhorancë. Për opozitën nuk është e rëndësishme metodika e funksionimit të sistemit gjyqësor, por përkatësia partiake”, u shpreh Meta, gjatë intervistës televizive në “Top Story”.
Për kreun e LSI, reagimi i Edi Ramës, pas seancës së Kuvendit ku u votua kandidatura e Elvis Çefës, për anëtarin e KLD-së, ishte një qëndrim emocional i shkaktuar nga kompleksiteti i përfaqësuesve të tij në Kuvend.
“Është një reagim me pengesa të theksuara emocionale pasi varet se si i është interpretuar situata nga përfaqësuesit e tij personalë. Mazhoranca ishte e angazhuar për votimin me kuti dhe për këtë u ngrit dhe një komision, ndërsa më pas u vendos që të kalohej në votimin elektronik. Vendi ka nevojë për qëndrueshmëri politike kuptoj këtu bashkëpunimin mazhorancë-opozitë, si një kusht absolut për të ardhmen e vendit, në mënyrë që nga kjo krizë e përgjithshme impakti te shqiptarët të jetë sa më i vogël. Duhet të mësojmë nga kriza e fqinjëve tanë si në Greqi”, tha Meta.
Kreu i LSI-së komentoi dhe mos marrjen pjesë të 3 deputetëve të LSI-së, në votimin e kandidaturës së Elvis Çefës, në KLD. Meta tha se LSI ka mbajtur një qëndrim unik sa i takon kandidaturave të gjyqësorit, duke shprehur shpesh herë ‘një’ qëndrim ndryshe nga PD.
Sipas tij, LSI nuk ka pasur vendim partiak për të mos marrë pjesë në votim.
“Nuk ka pasur një vendim partiak dhe nuk do të ketë për kandidaturat në gjyqësor. LSI nuk vendosi për votë ‘pro’ apo kundër, Cefës dhe Vishës në këtë qëndrim kemi për kandidaturat e gjyqësorit, pra një qëndrim ndryshe i LSI-së ndaj PD. Nuk është fare e rëndësishme të ndalem në interpretime të gazetarëve, por LSI është treguar tepër korrekte në përputhje me marrëveshjen që ka me PD. Nëse bëhen 71 vota me LSI-në apo pa të, kjo nuk është e rëndësishme, por e rëndësishme është që ne i qëndrojmë marrëveshjes dhe stabilitetit politik të vendit”, tha ai.
Zgjedhja e Presidentit ishte një tjetër çështje e prekur nga Ilir Meta. Ai tha se i qëndron deklaratës së tij se shtylla kryesore e këtij procesi është Kushtetuta.
“Shtylla kryesore ku duhet të bazohet ky proces është Kushtetuta si element i domosdoshëm por edhe që institucioni i presidentit është i lidhur me Kushtetutën dhe si garant i tij. Kemi theksuar dhe përsëri ritheksojmë që ky proces të zgjidhet në frymë sa më konstruktive që të jetë e mundur. Inkurajojmë që të ecet drejt një procesi sa më konstruktiv”, tha më tej, Ilir Meta.