E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vështrim/Struktura e BE-së, Kosova dhe Amnistia e krimit!

24-07-2013 / Nga Skënder Mulliqi

Nga shtetet e dala nga ish-Jugosllavia deri më tash vetëm dy kanë arritur të bëhen pjesë e BE-së, Sllovenia dhe Kroacia. Inkuadrimi në BE, sigurisht që është dëshirë dhe synim edhe i shteteve të tjera ballkanike. Se familja e madhe evropiane i ka dyert e hapura për shtetet e Ballkanit e bëri të ditur edhe kryetari i komisionit evropian, Zhoze Manuel Baroso pas inkuadrimit të Kroacisë në BE. Në radhë për anëtarësim është Serbia e cila po zhvillon negociata më palën e Kosovës për normalizim të marrëdhënieve të ndërsjella siç po thuhet. Kur disa shtete nga ish blloku komunist u inkuadruan në strukturën e BE-së si Bullgaria dhe Rumania, kjo strukturë atëherë nuk ballafaqohej më krizën globale. Dhe, mu për arsyen së në eurozonë ende po mbretëron kriza, vendet e Ballkanit përkundër deklarimeve pozitive nuk janë shumë të dëshirueshme për BE-në. Kjo nuk do të thotë së vendeve ballkanike iu janë mbyllur dyert përgjithmonë, por deri sa po vazhdon kriza  gjasat për t’ju bashkangjitur shteteve të BE-së  do të jenë të vogla. Thjeshtë, Ballkani me shumë probleme ende të pazgjedhura të natyrës politike, etnike dhe të natyrës ekonomike, edhe për disa kohë do të mbetet në periferi. BE-ja më shumë është e preokupuar se si të tejkalohet kriza brenda saj, sesa zgjerimi më anëtar të rinj. Kriza e thellë ekonomike në Spanjë dhe Greqi e ne disa vende të tjera të Evropës ende nuk është tejkaluar. Shtetet e BE-së sigurisht që nuk do të harxhojnë energji për zgjedhjen e problemeve të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kroacia i kishte përmbushur obligimet e parashtruara, por edhe gjeti përkrahje të fortë nga Gjermania. Dhe, si në Luksemburg ashtu edhe në Bruksel askush nuk e përmendi Shqipërinë, nuk e përmendi Maqedoninë e cila ende ka shumë probleme të pazgjedhura  dhe problemin me Greqinë. Shumë po përflitet në këtë strukturë evropiane se Bosnjes duhet t’i vihen sanksionet për shumë probleme ende të pazgjedhura në këtë republikë. Nga kjo distancë kohore popujt e ish-Jugosllavisë po jetojnë në shtete të vogla të cilat vështirë e kanë të ekzistojnë me forcat vetjake. Tranzicioni, privatizimi etj kanë treguar se prona qoftë private apo kujtdo qoftë tjetër nuk garanton se punët do t’u shkojnë mirë.
Sigurisht që neve më shumë na intereson fati i Kosovës. Kështu siç janë duke shkuar punët inkuadrimi në BE, është shumë larg. Për Kosovën rruga drejt BE-së është e gjatë dhe përplot sfida. Kriza sociale dhe ekonomike gjithnjë e më shumë po theksohet. Ngecja e zhvillimit të ecurive ekonomike ka bërë që papunësia të marrë përmasa shqetësuese. Nga pa perspektiva e krijuar pareshtur po zbrazët Kosova ndoshta edhe me keq sesa kur ishte nën okupim klasik nga Serbia. Këtyre ditëve jemi dëshmitarë se autobusë të shumtë me plot shqiptarë ja kanë mësy rrugës me plot rreziqe për në Evropë. Dhe Ministria e Punëve të Brendshme u deklarua se kjo punë po e rrezikuaka liberalizimin e vizave, pa e  elaboruar faktin se pse këta të rinj po e lëshojnë vendin. E sigurisht se motivet e tyre për t’u larguar nga Kosova nuk janë të vogla. Kjo kastë politike e pasluftës dhe kjo Qeveri bashkë me Kuvendin kurrë deri me sot nuk e qitën në rendin e ditës shkaqet e migrimit ilegal, dhe kurrë nuk folën për hartimin e ndonjë projekti serioz për krijimin e vendeve të reja të punës. Këta po tregohen  vetëm lakmitarë për pushtet e asgjë më tepër. As që po iu intereson fati i popullit, nëse u bie ndërmend se ka popull. Ata që dikur ishin azilantë në shtetet perëndimore u kthyen në Kosovë si pushtetarë e dinë mirë se çka don të thotë të jesh azilant! Në Kosovë është instaluar një sistem sa vështirë do të jetë edhe për shumë kohë që jeta të vihet në binarë normalë. Kriminaliteti dhe korrupsioni galopant nuk kanë të ndalur së nuk ka kush t’i luftojë këto dukuri shumë të dëmshme për shoqërinë tonë. Veriu i Kosovës me shumicë serbe me Asociacionin e Komunave për kompetenca vendimmarrëse që është rast i paprecedent në botë kur flitet për minoritete. Trysnia ndërkombëtare që minoriteti serb në veri të Kosovës të fiton më shumë të drejta së parashihet me Planin e Ahtisaarit, nuk është veprim i drejtë dhe Kosovën e bën shtet jofunksional. Siç duket po realizohet plani i ish-presidentit serb, Boris Tadiq i cili shumë herë kishte deklaruar atë 15 përqindëshin e territorit të Kosovës. Koncesionet politike karshi Serbisë nuk po kanë të ndalur, edhe pse ky shtet ishte dashur ta paguajë haraçin e gjithë të këqijave që i shkaktoi me rastin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Pamjet nga shënimi i 18 vjetorit të masakrës së Srebrenicës ishin rrënqethëse. Dhe kjo masakër dhe shumë masakra të tjera të Serbisë mbi myslimanet në Bosnje dhe mbi shqiptarët e Kosovës, ishte dashur ta prekin ndërgjegjen e shteteve përcaktuese të politikës botërore, së Serbia edhe për shumë kohë nuk ishte dashur të rehabilitohet, e lëre të bëhet faktor kur bëhet fjalë për të ardhmen e Kosovës. Në vend që Serbia t’i paguajë të gjitha dëmet e luftës dhe të kërkojë falje publike për gjenocidin e shkaktuar mbi popullatën jo serbe në ish-Jugosllavi, nga faktori ndërkombëtar gjithnjë e më shumë po fiton favore  për tu bërë pjesë e BE-së. Këtyre ditëve kur ende po zhvillohen bisedimet politike midis Kosovës dhe Serbisë, Kuvendi i Kosovës e votoi ligjin për Amnistinë e krimeve. Të amnistohen kriminelët ne veri të cilët që 14 vjet radhazi rrahën madje edhe vranë shqiptarë të pafajshëm nuk mund të justifikohet. Ky ligj u votua në Parlament me shumicë votash, edhe pse parlamentarët tanë fortë mirë e din së është ligj i dëmshëm dhe cili në vazhdimësi do të na shkaktojë probleme kur bëhet fjalë te sundimi i rendit dhe ligjit. Të amnistohen krimet e rënda dhe kriminelët ordiner është e pakapshme për mendjen e shëndoshë të njeriut. Ligji për amnistinë do të ketë pasoja për demokracinë edhe ashtu të brishtë në Kosovë. Miratimi i këtij ligji është diçka e paprecedentë në historinë e re të Evropës. Me këtë Qeveri dhe më këta parlamentarë zor së qytetarët do të shohin ditë të mira. Këto grupe të interesit dhe këto klane që janë formuar pas luftës ishte dashur të marrin fund më zgjedhjet lokale të vjeshtës dhe me zgjedhjet nacionale të radhës. Populli është ai që mund të bën ndryshime përmbajtësore dhe tepër të nevojshme në këtë fazë të tranzicionit, në të kundërtën kërkesat e tij edhe për shumë kohë do të mbeten të parealizuara. E ardhmja e demokracisë në Kosovë, është vënë në pikëpyetje të madhe. Pakënaqësitë sociale, rrezikojnë të arrijnë kulmin e shpërthimit…

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›