E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kronikat e Tursun Beut

Botimet IDK sjellin në shqip kronikat tronditëse osmane për pushtimin e Shqipërisë. Tursun Beu, kronikani zyrtar i Mehmetit të II’të, i njohur edhe si shkrimtari më i rëndësishëm turk i kohës, vjen para lexuesit shqiptar me kronikat e tij për fushatat që ndërmori Sulltani në Europë dhe Azi.

“Në përputhje me traditën që ekzistonte që më parë, të gjithë djemtë e vashat e tyre u kapën dhe u bënë robër, ndërsa meshkujt e rritur u mblodhën dhe u lidhën me zinxhirë. Në çdo vendqëndrim, në prani të Sundimtarit, u ekzekutuan me një të rënë shpate aq shumë të pafe sa qe e pamundur të llogariteshin.

Të shtyrë nga kjo frikë, të pafetë që kishin mbijetuar pranuan të bëheshin shtetas të shtruar osmanë dhe të paguanin xhizjen e përcaktuar nga Sheriati, si dhe taksat e zakonshme.” Ky është vetëm një fragment i shkëputur nga një kronikë që përshkruan pushtimin e Shqipërisë.

I botuar nga ‘Botimet IDK’, libri ‘Kronikat e Tursun Beut’ sjell para lexuesit shqiptar dëshmi të pushtimit të Shqipërisë nga Perandoria Osmane, ku veç vlerës si burim historik i dorës së parë, ky libër ka vlerën e veçantë se sjell përfytyrime tepër të gjalla e të besueshme të asaj drame të madhe, kur shqiptarët, siç shkruan kronikani osman i sulltanit, ‘u nënshtruan dhe pranuan zinxhirin vetëm nga tmerri prej kordhës gjakderdhëse të Sovranit.’ Në këtë shikim, s’ka dyshim se ‘Kronikat e Tursun Beut’ janë një kontribut me vlerë në atë proces rileximi kritik e serioz të historisë sonë, për të cilin flitet aq shpesh. Por, njëkohësisht, janë dhe një kontribut i rëndësishëm në debatet e më shpesh spekulimet e viteve e muajve të fundit për historinë e sundimit osman në Shqipëri, ku edhe një herë, fatkeqësisht, kërkohet që historia të përdoret (e keqpërdoret) në funksion të interesave politike të ditës.

Por sidoqoftë, kjo s’do të thotë aspak se ‘Kronikat e Tursun Beut’ kanë të bëjnë thjeshtë me pushtimin e Shqipërisë. Përkundrazi, Tursun Beu, kronikani zyrtar i Mehmetit të II, i njohur si shkrimtari më i rëndësishëm turk i kohës së vet, me kronikat e tij na sjell dëshmi të gjalla e realiste për thuajse gjithë fushatat që ndërmori sulltani i ri e famëmadh, në Europë e në Azi, teksa i dha fund pas gati njëqind vjetësh luftërash të ashpra e të përgjakshme, pushtimit të kësaj pjese të Europës.

Ky libër vazhdon të konsiderohet edhe sot një ndër monumentet e literaturës së hershme osmane.

Në hyrje të librit, studiuesi dhe botuesi Piro Misha shkruan se Tursun Beu, i lindur më 1426 (pra thuajse bashkëmoshatar me vetë sovranin) dhe që besohet se vdiq në 1499, e ndoqi pas sulltanin në thuajse gjithë fushatat e tij, duke u bërë kësisoj dëshmitar i vyer i kësaj faqeje të historisë.

“Me vlerë të veçantë konsiderohen sidomos përshkrimet që ai na ka lënë për pushtimin e Kostandinopojës, kryeqytetit famëmadh të një perandorie mijëvjeçare, që shumëkush e sheh si një ndër dëshmitë më të besueshme të një ngjarjeje ndër më të rëndësishmet e dramatiket të mbarë historisë”, shkruan Misha. Ai shton se në kronikat e Tursun Beut mbizotëron objektiviteti dhe realizmi.

Pa zvogëluar aspak vlerën e përgjithshme të librit në tërësi, Misha shprehet se s’ka asnjë dyshim se ajo që do t’i interesojë më shumë lexuesit shqiptar kur të marrë në duar këtë libër, do të jenë faqet e tij ku flitet për pushtimin e Shqipërisë.

E sa u përket debateve të kohës së fundit, Misha shkruan se libri do të kontribuojë për të plotësuar informacionin që kemi për këtë pjesë të trashëgimisë sonë historike.

“Teksa shkruaj këto radhë, dua s’dua më vinë ndërmend polemikat e nxitura që po zhvillohen këto ditë pikërisht për mënyrën se si janë trajtuar raportet mes shqiptarëve dhe turqve gjatë shekujve të gjatë, kur qemë pjesë e të njëjtës perandori. Në këtë shikim, s’ka dyshim se ‘Kronikat e Tursun Beut’ kanë për të kontribuar për të plotësuar informacionin që kemi për këtë pjesë të trashëgimisë sonë historike e cila, padyshim, ka nevojë për një rishqyrtim kritik e serioz, si pjesë e rileximit të mbarë historisë sonë, duke iu shmangur skematizimit me frymëzim romantik nacionalist që ka karakterizuar përgjithësisht deri më sot trajtimin e raporteve tona me Perandorinë Osmane, por duke iu shmangur, po ashtu, spekulimeve”, shkruan Misha.

Sipas tij, ky është një libër që i drejtohet jo vetëm studiuesve, por që mund të lexohet me interes dhe nga lexuesi i gjerë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›