Krujë, arratiset nga paraburgimi 50-vjeçari
KRUJE - Ka mundur të arratiset nga dhomat e paraburgimit, por pak orë më pas, një 50-vjeçar, është rivënë në prangat e policisë dhe është rikthyer përsëri në qeli. Burime zyrtare të policisë konfirmojnë se "në orën 10:00 të ditës së premte, 50-vjeçari Flamur Zalla nga fshati Zallë i rrethit të Krujës, ka mundur të largohet nga paraburgimi pa u vënë re nga policët e shërbimit, ndërsa është rivënë në pranga afër banesë së tij në orën 19:00 të së njëjtës ditë. Mësohet se Zalla është arrestuar rreth 2 muaj më parë pasi gjatë kontrollit në banesë i janë gjetur një sasi armësh dhe municionesh luftarake pa leje. "Zalla ka mundur të hapë derën e dhomës së paraburgimit pa rënë në sy të policëve. Më pas ka mundur të largohet nga porta kryesore e policisë dhe është larguar me shpejtësi. Menjëherë nisi operacioni për kapjen e tij. Rreth orës 19:00 ai është ri-arrestuar në afërsi të banesës së tij, bë fshatin Zallë të Krujës", - konfirmojnë burimet zyrtare të policisë. Përveç akuzës për "mbajtje armësh e municionesh luftarake pa leje", Zallës i shtohet dhe akuza e "arratisjes nga paraburgimi".
(GSH/BalkanWeb)
(GSH/BalkanWeb)