E Diel, 1 Nëntor 2026

Krujf: Ndryshimet te Barça, jo emocionale

Në komentin që ka shkruar në gazetën "Periódico de Catalunya", ish-menaxheri i Barcelonës, Johan Krujf, ka deklaruar se ka ardhur koha që bordi drejtues t‘i lërë mënjanë miqësitë dhe vendimet emocionale në vendimet që do të marrë në fund të sezonit. Edhe pse skuadra fitoi 6-0 gjatë fundjavës me Valencian, ai shkruante se në "Kamp Nou" ka ende shumë gjëra që nuk funksionojnë ashtu si duhet dhe se në fund të kampionatit drejtuesit kanë detyrën të marrin disa vendime të mëdha. Holandezi theksoi se të gjitha ndryshimet nga bordi drejtues duhet të vijnë pa influencime nga besnikëria, miqësia apo nga faktorët emocionalë. Legjenda "tulipane" tha: "Duhen bërë analiza dhe të merren vendime. Të gjitha këto, me qëllimin që të minimizohen gabimet, pasi ato asnjëherë nuk mund të eliminohen plotësisht. Analiza pa u ndikuar nga emocionet: kjo është detyra që e pret Barcelonën në muajt në vazhdim. Futbolli është një sport i bazuar tek emocionet, kjo nuk ka dyshim. Të gjithë e dinë këtë. Megjithatë, reagimet emocionale duhet t‘u lihen vetëm tifozëve dhe jo atyre që kanë detyrën të marrin vendime. Për ta nuk duhet të ketë asnjë lloj influencimi: as nga ngjyrat e klubit, as miqësira, emra... asgjë". Krujf theksoi se vendimet kaq ekstreme mund të vijnë vetëm në periudha krizash, pasi diçka e tillë nuk përbënte shqetësim për katalanët në vitin 2006, kur fituan titullin në Spanjë dhe Ligën e Kampioneve. "Përpara një viti shkrova se skuadra e kishte mbyllur ciklin, por më cilësuan të çmendur. U morën vendime, me të cilat nuk isha dakord dhe ja ku jemi".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›