E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryebashkiakët e bregdetit: Nisma frenon turizmin

Kryetarët e bashkive bregdetare kundërshtojnë vendimin e qeverisë për moratoriumin e skafeve. Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, tha se "nuk jemi dakord me këtë vendim të qeverisë, i cili është një kthim mbrapa dhe do të cenojë fluksin e turistëve që ne po përgatitemi të vijë në rritje". Kemi plane, tha ai, për ndërtimin e portit turistik, por qeveria me vendime të këtij lloji jo vetëm që nuk na inkurajon të promovojmë turizmin, por na frenon. Sakaq, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, pohoi se "e kam thënë shpesh herë që moratoriumi tani nuk ka më vlerë. Edhe nëse kjo masë shtrënguese ka pasur ndonjë efekt, tani e ka kryer. Duhet të jenë strukturat ato që rregullojnë shkeljet e ligjit dhe nuk është moratoriumi. Ne realisht na dëmton. Jam absolutisht kundër". Sipas Gjikës, mungon një konsultim midis grupeve të interesit. "Një vendim i tillë duhet të merrej vetëm me grupet e interesit në një takim ose konsultë të përbashkët. Në këtë rast ka qenë mundësia të bëhej, pasi herën e parë u bë me nxitim. Për mua është e papranueshme për grupet e interesit, duke filluar që nga njerëzit që ushqehen me detin, që e pëlqejnë detin, bëjnë turizëm dhe institucionet vendore që kanë biznese turistike", u shpreh Gjika. Pra, vijoi ai, duhet të kishte një marrëdhënie të përbashkët. "Kjo është iniciativë e kryetarit të qeverisë, që lë për të dëshiruar, pasi ka qëllime të njëanshme dhe që i vijnë për mbarë qeverisë si një organizëm i ngushtë dhe jo interesave të komunitetit", tha Gjika. Pronari i një anijeje turistike në Sarandë, Arjan Çaushi, tha se "sikur më ra pika kur dëgjova se qeveria e shtyu edhe me 3 vjet të tjera ndalimin e daljes së skafeve në det. Unë jam nga ata që marr goditjen falimentuese nga ky vendim. Mezi prisja të dëgjoja për respektimin e afatit të parë 3-vjeçar të ‘arrestit‘ detar të anijes sime turistike ‘Nikaela‘ në Ksamil të Sarandës". Por, vijoi ai, në vend të na thuhet na falni që e shtymë edhe me kaq kohë përtej afatit ndalimin e skafeve në det, bëhet i njëjti vendim (gabim) si tre vjet e ca më parë. Po sa janë si unë vetëm në Sarandë e Ksamil? Thonë 43 skafe, po më shumë janë, që shohin të shumtët punën e tyre e nuk merren me pisllëqe. Po edhe kush ka mendje të ligë, tërhiqet kur sheh që shteti ka të tjera aftësi e mundësi bllokimi të trafiqeve, pa lindur nevoja e ligjit bllokues", nënvizoi Çaushi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›