Lellouche: Dialog për të gjitha kontestimet
Sekretari francez për Çështjet e Europës, Pierre Lellouche, bëri dje thirrje për dialog politik, si e vetmja mënyrë për të zgjidhur krizën në Shqipëri. Lellouche u shtohet në këtë mënyrë zërave të faktorit ndërkombëtar, që kërkojnë dialog dhe zgjidhje sa më parë të ngërçit politik. Gjatë takimeve me krerët e vendit, Kryeministrin e Berisha dhe Kryetaren e Kuvendit, Topalli, sekretari i shtetit francez shprehu mbështetjen e vendit të tij për integrimin e Shqipërisë në BE. I pyetur se si e sheh krizën politike në Shqipëri, Lellouche tha se principi bazë i demokracisë është që sapo zgjedhjet mbarojnë dhe në momentin që KQZ nxjerrë rezultatin, duhet të pranohet ndryshimi, ai që fiton merr pushtetin dhe ai që humb do të kalojë në opozitë. "Por pranimi i kësaj alternance është baza e demokracisë. Kjo duhet të pranohet mirë në kokë, sepse është rregull absolut, sepse nëse nuk pranohet ndryshimi i pushteteve, atëherë është regjim diktatorial. Unë e kuptoj se demokracia mund të mos jetë perfekte, mund të ketë kundërshtime, por koncepti tjetër bazë në këtë rast, është se kur ka kontestime, gjithçka rregullohet përmes drejtësisë dhe dialogut", u shpreh ai. Kryeministri e garantoi sekretarin e shtetit francez se qeveria shqiptare mbetet e hapur për një bashkëpunim me opozitën në të gjitha reformat e mëdha. "I kam kërkuar opozitës që të hartojë të gjitha amendamentet e sugjeruara nga OSBE/ODIHR për zgjedhjet e ardhshme. Dhe, çdo problem, dokument apo fakt që ka për zgjedhjet e shkuara, le t‘i paraqesë para institucionit të akuzës dhe organeve të drejtësisë. Ajo çka unë nuk imagjinoj, nuk e imagjinon as edhe një qytetar i lirë në Europë apo në botë, është që politikanët të marrin edhe vendimet gjyqësore", tha ai. Sekretari francez i shtetit i ngarkuar me çështjet evropiane, Pierre Lellouche, zhvilloi dje një takim edhe me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht kreun e PS-së, Edi Rama. "Takimi me sekretarin francez të shtetit, i ngarkuar me çështjet evropiane, Pierre Lellouche, ishte shumë i frytshëm. Jemi të vendosur dhe të vetëdijshëm në rrugën që kemi zgjedhur, të garantojmë demokraci për të gjithë dhe jo vetëm për një familje", tha Rama.