E Diel, 1 Nëntor 2026

"Qemal Stafa", projekti i ri kushton 12 milionë euro

Nevojitet një stadium që të plotësojë të gjitha kushtet e UEFA-s dhe FIFA-s për zhvillimin e të gjitha ndeshjeve ndërkombëtare. Por mes dy projekteve ekzistuese, ndërtimit të një të riu dhe rikonstruktimit të aktualit, "Qemal Stafa", duket se ky i fundit ka fituar shumë më shumë terren, për shkak të kostos më të ulët. Stadiumi kombëtar "Qemal Stafa", i cili është edhe më i madhi në vendin tonë, ka filluar të ndërtohet në vitin 1939, ndërsa inaugurimi i tij është bërë në vitin 1946 me ndeshjet e Ballkaniadës së zhvilluar në vendin tonë. Ai përdoret kryesisht për zhvillimin e ndeshjeve të futbollit, por edhe për atletikë. Që nga koha e inaugurimit kanë kaluar rreth 64 vite dhe vitet e fundit ndryshimet kanë qenë minimale, aq sa për t‘i dhënë mundësinë UEFA-s dhe FIFA-s që të mbyllin njërin sy për të na dhënë lejen e zhvillimit të ndeshjeve ndërkombëtare. Megjithatë nuk kanë munguar ankesat e skuadrave të huaja që kanë shkelur në të, në lidhje me terrenin, kushtet e akomodimit në tribuna, por së fundmi edhe denoncimi i danezëve për mungesën e dusheve me ujë të ngrohtë, që i kushtoi FSHF-së afro 10 mijë euro gjobë. Planet për rikonstruktimin e tij nuk kanë munguar, por vonesat kanë ardhur për arsye se vitet e fundit FSHF-ja dhe shteti kanë qenë të ndarë nga një marrëdhënie e tensionuar, gjë që ka lënë jashtë diskutimit projektin e ri për rikonstruksionin e "Qemal Stafës" apo ndërtimit të një stadiumi të ri. Në një prononcim për "Top Channel", vetë presidenti i FSHF-së, Armand Duka, pohoi se tashmë ka në dorë dy variante, atë të ndërtimit të një stadiumi të ri në periferi të Tiranës me një kosto që mund të shkojë rreth 40 milionë euro dhe rikonstruksioni i stadiumit kombëtar "Qemal Stafa" me një kosto prej 12 milionë eurosh. Varianti i parë duket më pak i mundshëm për momentin, për shkak të kostos së tij shumë të lartë për një federatë të varfër si e jona, ndërkohë për rikonstruksionin e "Qemal Stafës" ka një projekt konkret, i ndarë në dy variante: i pari tërësisht i mbuluar dhe me një shtim kapaciteti deri në 20 mijë vende, nga 17 mijë që ka aktualisht. Megjithatë, ky konsiderohet një luks për ne, pasi edhe kostoja është më e lartë. Kjo ka ndikuar në rrëzimin e këtij projekti. Varianti tjetër është ndërhyrja në tribunën qendrore, për ta çuar atë në 6000 vende, ndërsa për tribunën VIP krijohet hapësira për 400 vende. Po ashtu, projekti parashikon shtimin e vendeve për gazetarët, dy salla të konferencave për shtyp dhe zona miks, mbulimi i plotë i tribunës qendrore dhe asaj të 20-shes apo tribuna "karshi", ku ndodhen ndarjet D1, D2, D3, D4. Duke u nisur nga një kosto totale prej 12 milionë eurosh, FSHF-ja dhe MTKRS-ja kanë rënë dakord parimisht që gjysmën e këtij investimi, pra 6 milionë euro, t‘i sigurojë federata dhe 6 të tjera qeveria. Ndaj, dhënia e një "fytyre të re" për "Qemal Stafën" në vitet e ardhshme është një mundësi reale.
Skandali
UEFA e konfirmon: Dyshimet prej basteve
Dyshimet e UEFA-s për trukime ndeshjesh nga dy skuadrat shqiptare, Vllaznia dhe Tirana (ashtu si edhe për shumë ekipe të tjera europiane), kanë lindur prej basteve. Kjo është konfirmuar nga presidenti i konfederatës kontinentale, Mishel Platini, dhe sekretari i përgjithshëm, Xhani Infantino, gjatë mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të zhvilluar në Fushal të Madeiras. Në këtë mënyrë vazhdojnë të hidhen poshtë pretendimet e presidentit të Tiranës, Refik Halili, por edhe e një pjese të kryesisë së klubit, që pretendonin se dyshimet janë ngritur prej informacioneve tendencioze që UEFA ka marrë nga FSHF-ja. Këto akuza nga krerët bardheblu kanë nisur një polemikë në distancë me kreun e institucionit që drejton futbollin shqiptar, Armand Duka. Gjatë ditës së dytë të punimeve të Ekzekutivit, është folur edhe për atë që cilësohet si skandali më i madh në futbollin europian. Aty u paraqitën detaje të sistemit të zbulimit të basteve ilegale, i cili përdoret nga UEFA, e që monitoron rreth 29 mijë ndeshje në të gjithë "kontinentin e vjetër": këtu përfshihen ndeshjet në aktivitetet e UEFA-s, por edhe kampionatet elitare, kategoritë e dyta dhe takimet e Kupës në 53 vendet që janë anëtare të "qeverisë" europiane të futbollit. Platini dhe Infantino deklaruan se institucioni që ata drejtojnë është i vendosur të luftojë bastet ilegale dhe trukimin e ndeshjeve. "Nëse e mësojmë rezultatin e ndeshjeve, ende pa zbritur skuadrat në fushë, më mirë ta ndërpresim futbollin", tha Platini. "Fëmijëve do t‘u duhet të mos e praktikojnë më sportin më popullor në botë, ndërsa tifozët nuk do të shkojnë më nëpër stadiume. Do të përdorim të gjitha mjetet e nevojshme për të luftuar trukimet". Infantino shtoi: "Sistemi i zbulimit të basteve ilegale që UEFA përdor monitoron bastet 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë dhe 365 ditë në vit. Do të luftojmë ashpër manipulimin e rezultatit të ndeshjeve dhe do të ndëshkojmë fajtorët. Është një sfidë e vështirë, por ne jemi gati".

e. k.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›