E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama çon dosjen e akuzave te Topi si kryetar i KLD

Në momentin kur kriza politike duket se po thellohet, kreu i opozitës, Edi Rama, zhvilloi një takim me kreun e shtetit, Bamir Topi. Kryetari i Partisë Socialiste i kërkoi dje Presidentit që të ndërhyjë në kushtet e rënies së shtetit të së drejtës. Nisur nga deklaratat e dy palëve pas mbarimit të takimit, duket se negociatat për të zgjidhur krizën mes dy partive të mëdha janë shumë larg. Vetë Rama la të kuptohej se kërkesa e tij ishte e qartë, që Presidenti të ndërhyjë për t‘u bërë garanti kushtetues, pa artikuluar nëse ai duhet të ndërmjetësojë një zgjidhje të situatës. Presidenti Topi, sipas njoftimit të zyrës së shtypit, e garantoi kreun e opozitës se do të vijojë të jetë garant i Kushtetutës. Pas takimit 30-minutësh, Rama deklaroi për mediat se kërkoi një takim me Presidentin për t‘i shprehur atij shqetësimet e opozitës lidhur me situatën e krijuar në vend. "E kërkova këtë takim me Presidentin e Republikës, për t‘i shprehur shqetësimin e thellë të opozitës. Në emër të të gjithë popullit opozitar dhe të çdo qytetari e qytetareje që kërkon shtet të së drejtës; në kushtet kur shteti i së drejtës ka rënë; në kushtet kur kanë rënë të gjitha garancitë dhe vendi gjendet në një krizë të thellë të demokracisë dhe të institucioneve që duhet të garantojnë të drejtën e secilit, duke garantuar barazinë përpara ligjit", theksoi Rama. Ai shtoi se "ilustrova shembuj dhe fakte konkrete gjithë sa po ndodh dhe kërkova nga garanti i Kushtetutës që të garantojë liri dhe të drejta kushtetuese, duke luajtur rolin që i takon". Në njoftimin e zyrës së shtypit të presidencës thuhet se Rama i shprehu kreut të shtetit shqiptar dhe njëkohësisht Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë shqetësimet rreth gjendjes aktuale të institucioneve të sistemit të drejtësisë, si dhe zhvillimeve më të fundit e situatën në vend. Më tej, njoftimi thotë se "pasi dëgjoi qëndrimin e kryetarit të Partisë Socialiste lidhur me këto çështje, Presidenti i Republikës ripërcaktoi edhe njëherë pozicionin e tij kushtetues dhe e siguroi zotin Rama se do të vazhdojë të luajë rolin e tij si garant i Kushtetutës dhe i ligjit në funksion të rritjes së standardeve të institucioneve të drejtësisë, profesionalizmit dhe efektshmërisë, ndershmërisë dhe paanësisë së gjyqtarëve, dhe se do të vazhdojë të punojë për konsolidimin e pavarësisë së këtyre institucioneve të shtetit të së drejtës". Ky është takimi i parë zyrtar mes kreut të shtetit dhe liderit të opozitës pas vendimit të Partisë Socialiste për të bojkotuar Parlamentin. Në harkun kohor mes muajit shtator-dhjetor, PS i ka kërkuar disa herë ndërhyrje Presidentit të republikës, ndërsa Presidenti nga ana tjetër ka shprehur gatishmërinë për të marrë rolin e negociatorit nëse këtë ia kërkojnë vetë partitë. Por asnjë prej këtyre partive nuk e ka hedhur këtë hap, ndaj kreu i shtetit po qëndron në pritje të reflektimit të vetë partive. Dy ditë më parë, kreu i shtetit përmendi apelet e herëpashershme që ka bërë në adresë të forcave politike shqiptare. "Këto apele i kam bërë herë pas here, s‘mund të them që kanë qenë frekuente, por janë bërë në kohën, momentin dhe vendin e duhur. Ajo që mund të bëjë Presidenti është të inkurajojë dialogun politik, që është një parim i qëndrueshëm e i konsoliduar në vendet demokratike", tha ai. Topi nënvizoi se respekton në mënyrë të qartë vullnetet e partive politike. "I inkurajoj për dialogun. Natyrisht që nuk mund të interferoj. Besoj që klasa politike shqiptare sot në vitin 2009 është koshiente për të zhvilluar dialogun. Nuk do të mungojnë apelet e mia për të inkurajuar klimën e dialogut, e cila është normale, madje është esenciale për jetën normale të institucioneve të një vendi demokratik", deklaroi Presidenti.

A.Th.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›