Kryebashkiaku Basha takon gazetaret gjermane

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha zhvilloi një takim me përfaqësues të mediave më prestigjoze gjermane, si dhe kryetarja e Klubit të Shtypit të Berlinit dhe përfaqësues të Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë.
Në këtë takim, zoti Basha e njohu grupin e gazetarëve gjermanë me projektet e tij për zhvillimin e Tiranës, ku zhvillimi ekonomik, punësimi dhe përmirësimi i cilësisë së jetës, janë fokusi kryesor.
Zoti Basha nënvizoi se Plani Urbanistik i Tiranës, i cili i ka munguar Tiranës për 22 vjet, do të jetë garanti i një zhvillimi të qëndrueshëm të Tiranës
Zoti Basha u ndal në projektin e zgjatimit të bulevardit dhe rehabilitimit të lumit të Tiranës, një projekt që prek 20 % të territorit të Tiranës. Sipas kryebashkiakut Basha projektet strategjike janë një mundësi e mirë për të thithur investitorë të huaj por edhe për më shumë mundësi punësimi.
Qytetarët e Tiranës, sipas Bashës janë dhe pjesë e vendimarrjes. Ata dhanë një kontribut të rëndësishëm në konsultimet për buxhetin e vitit 2012, për përzgjedhjen e projektit të bulevardit dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës, përmes shprehjes së mendimit të tyre dhe sugjerimeve, për rreth 2 muaj, ndërsa së shpejti nis konsultimi për Planin Urbanistik.