Kryebashkiaku Veliaj: Liria ka emrin e UÇK, por, a ka emër kush i çoi në Hagë drejtuesit e saj?

Koordinatorit politik i PS-së për Qarkun Tiranë, Erion Veliaj, ndërsa merrte pjesë në një takim të Asamblesë socialiste të Kavajës, shtroi disa pyetje ndaj kryetarit të PD, Lulzim Basha, lidhur me çështjen e UÇK-së, duke e akuzuar atë “për tradhti kombëtare”.
“Liria ka emër! Po tradhtia a ka emër? A ka një emër se kush i çoi në Hagë drejtuesit e UÇK? Ka emër kush i sajoi këto shtëpitë e verdha? Ka emër kush i nguli thikë pas shpine vëllait të vet? Ka emër ajo forcë politike, e cila votoi raportin e Dik Martit? Teksa bëjmë këtë betejë, për fitoren tonë më 25 Prill, duhet të flasim edhe me vëllezërit dhe motrat tona demokrate, dhe t’u themi patjetër që liria ka emër, edhe në kohët moderne, po tradhtia a ka emër? Po besëprerja a ka emër? Po thikat pas shpine vëllait tënd, a kanë emër?”, shtroi si pyetje Veliaj në fjalën e tij para socialistëve kavajas.
Zoti Veliaj ftoi demokratët që t’i bashkohen familjes socialiste, si forca më patriotike në vend, duke theksuar se qytetarët e Kavajës e kanë të qartë diferencën që ekziston mes PS-së dhe PD-së, e cila, sipas tij, “po bën një betejë të pandershme, duke fabrikuar lajme të rreme për shtëpi të verdha apo për pandeminë”. /rtsh.al