Kryebashkiaku Veliaj: Plani ynë është që brenda 2030-ës, flotën e autobusëve ta kemi 100% elektrike

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka prezantuar sot flotën e gjelbër të autobusëve elektrikë që sikurse u shpreh ai, është një hap madhor drejt modernizimit të transportit publik në Kryeqytet.
Veliaj tha para mediave se, Bashkia Tiranë në bashkëpunim me eskpertët e GIZ po hartojnë një plan për të kthyer 3 linja të Tiranës: linjën Kinostudio-Kombinat, linjën e Unazës dhe linjën e Tiranës së Re – në atë që quhet ‘Bus Rapid Transit’.
“Për ta bërë edhe më të pëlqyeshëm dhe frekuentueshëm përdorimin e autobusit, bashkë me ekspertët e GIZ-it po hartojmë një plan për të kthyer tre linja të Tiranës – linjën Kinostudio-Kombinat, linjën e Unazës dhe linjën e Tiranës së Re – në atë që quhet ‘Bus Rapid Transit’: pra, linja me korsi të dedikuar, të ngjashme me ato që mund të keni parë në Stamboll, që funksionojnë si tram ose metro, por në këtë rast janë autobusë. Ka shumë njerëz që thonë pse nuk e bëjmë dot një tram ose metro në Tiranë. Së pari, sepse nuk gënjejnë për fushatë dhe pastaj nuk e bëjmë tramin. Së dyti, është llogari. Shumë prej vendeve të Ballkanit, siç mund të jenë Bullgaria apo Rumania, e përballojnë metronë vetëm falë subvencioneve sepse janë anëtare të BE-së”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku deklaroi se plani është që brenda 2030-ës, flota e autobusëve të jetë 100% elektrike.
Ai shprehu bindjen se qeveria do investojë që çdo blerje e ardhshme e mjeteve të jetë elektrike.
“Plani ynë është që brenda 2030-ës, flotën e autobusëve ta kemi 100% elektrike. Të njëjtën gjë po bëjmë dhe me mjetet që përdorin institucionet e Bashkisë së Tiranës. Kemi filluar me Policinë e Shtetit, jam i sigurt se edhe qeveria do të investojë që çdo blerje e ardhshme e mjeteve të jenë mjete elektrike. Sot Tirana është një nga kryeqytetet me më shumë taksi elektrike në rajon. E gjithë flota e mjeteve të Policisë Bashkiake është elektrike. Nëse vazhdojmë me këtë rritje dhe me përgjigjen pozitive të tregut, me uljen e TVSH-së për mjetet elektrike dhe akses të menjëhershëm në transport me taksi, besoj se nuk do të jetë e largët dita kur Tirana të jetë realisht qyteti ku udhëtohet vetëm me transport elektrik”, nënvizoi Veliaj.
Kryebashkiaku theksoi më tej se kushdo që proteston për çmimin e biletës së autobusit, qartazi sa ka zbritur nga makina, pasi po të kishte qenë me transportin public do e dinte se është e pavërtetë që ka rritje çmimi.
“Në Tiranë, çmimi i biletës është 40 lek, në Kosovë 50 cent euro. Prishtina ka shumë më pak linja autobusësh, kurse Tirana ka 15 linja vetëm urbane. Pra, kush del dhe proteston për çmimin e autobusit, qartazi sa ka zbritur nga makina e tij, se po të kishte qenë në autobus, do ta dinte se është e pavërtetë. Faktet i kemi njësoj, por opinionet mund t’i kemi ndryshe. Ajo që ndodhi është se bëmë dy ndërhyje për operatorët e transportit publik, si nga qeveria, ashtu edhe nga bashkia. Bashkia e Tiranës ndërhyri përpara krizës së naftës, duke subvencionuar operatorët, por ndërkohë qeveria bëri një ofertë edhe më të mirë për subvencionimin e naftës në momentin që u pa se duhet rikuperuar kostoja e lartë e operimit të këtij transporti. Sot, bileta është jo vetëm më e lira në të gjithë rajonin, por jemi në një situatë kur kush merr abone 16 mijë lekë të vjetra, praktikisht e ka biletën 10 cent. Për studentët çmimi është edhe më i ulët”, sqaroi Veliaj.
/rtsh.al/