Kryebashkiaku, dhurata për fëmijët e sëmurë
Në ditën e Krishtlindjeve, kryebashkiaku Rama ka vizituar fëmijët në spitalin e Pediatrisë së Specialisteve në Tiranë.
"Është një privilegj i madh që së bashku me vajza dhe djem të Rrjetit Rinor të Bashkisë, ne kemi mundësinë që të vijmë çdo Krishtlindje këtu, në spitalin e fëmijëve, për t‘u dhënë edhe atyre që janë sot më në nevojë se të gjithë të tjerët, mundësinë që të kenë gëzimin e një feste dhe ndërkohë për të rritur ndjeshmërinë që e gjithë shoqëria të gjendet pranë këtyre fëmijëve, të cilët kanë nevojë jo vetëm për dhuratë feste, por për gjak në mënyrë të vazhdueshme, çdo ditë", tha kryetari i Bashkisë, Edi Rama. Të rinjtë e Rrjetit Rinor, përmes animacioneve, dhuratave të ndryshme u gjendën pranë vogëlushëve, duke u sjellë atyre atmosferën e festave të fundvitit, duke treguar ndjeshmërinë dhe mbështetjen ndaj atyre që, përveç dhuratave në këto ditë festive, kanë nevojë mbi të gjitha për dashurinë dhe mirësinë e çdokujt.
Po me rastin e Krishtlindjeve, Bashkia e Tiranës ka ofruar një drekë për rreth 250 vetë, në lulishten te "Partizani i Panjohur", të cilëve kushtet e vështira ekonomike por dhe kriza që ka mbërthyer të gjitha familjet shqiptare, nuk u lejojnë të përjetojnë ashtu siç duhet festën.