Durrës, "Autostrada e Vdekjes" vrau më shumë njerëz
Viti 2009 ka qenë i rëndë për Qarkun e Durrësit, me 195 aksidente rrugore, në të cilat kanë humbur jetën 57 persona, janë plagosur rëndë 59 të tjerë dhe dëmtuar 158. Javën e kaluar u regjistruan 2 aksidente të rënda me 3 të vdekur dhe 2 të plagosur, mes të cilëve dhe ish-deputeti Lekë Çukaj. Drejtimi i automjetit tej normave të lejuara të shpejtësisë, përdorimi i pijeve alkoolike nga shoferët dhe mosrespektimi i sinjalistikës rrugore prej tyre, ndërprerja e rrugës nga kalimtarët janë shkaqet kryesore të aksidenteve që kanë marrë shumë jetë njerëzish e kanë gjymtuar shumë të tjerë në superstradën Tiranë-Durrës dhe atë të Fushë-Krujës, po dhe në të tjera aksidente të ndodhura në rrugët e qarkut. Muaji më tragjik ka qenë korriku, me 29 aksidente automobilistike, në të cilat humbën jetën 14 persona dhe 20 të tjerë u plagosën rëndë. Sipas kreut të Inspektoratit të Qarkullimit Rrugor në Durrës, Xhemal Lushaj, në shkallë qarku gjatë këtij viti, duke u vlerësuar dhe situata e krijuar, janë vendosur 70532 masa administrative me vlerë 58,8 milionë lekë. Janë pezulluar 2062 leje drejtimi dhe bllokuar 1439 automjete për mangësi në dokumentacion. Gjobat më të shumta janë vendosur nga Komisariati i Policisë së Durrësit, mbi 52 mijë, i ndjekur nga Kruja dhe më pas ai i Shijakut. Drejtuesit e Policisë së Durrësit në këtë fundviti bëjnë thirrje të vazhdueshme për më shumë përgjegjshmëri gjatë lëvizjes në rrugë, si nga drejtuesit e mjeteve, ashtu edhe nga këmbësorët. Lushaj thotë se mospërdorimi i pijeve alkoolike gjatë drejtimit të automjeteve, respektimi i normave të shpejtësisë, i këmbësorëve në rrugë dhe respektimi i sinjalistikës rrugore nga të gjithë qytetarët, drejtues mjetesh apo këmbësorë, do të shmangte tragjeditë në rrugët e ngarkuara veçanërisht në këtë fund viti, kur numrit normal të automjeteve i shtohet edhe ai i emigrantëve, të cilët jo rrallëherë krijojnë kaos në trafik. Veçanërisht në verë dhe në fundvit, rritja e numrit të aksidenteve, sipas inspektorëve të qarkullimit rrugor, është pasojë e shtimit të ndjeshëm të lëvizjes së njerëzve dhe automjete në periudha pushimesh. Numri i mjeteve që qarkullojnë në rrugët e Durrësit shumëfishohet dhe çdo ditë nga porti detar hyjnë rreth 2000 automjete të emigrantëve. Vetëm ditët e fundit kanë hyrë afro 20 mijë veta në vend nga kjo pikë kufitare.
V.Qyrfyçi