Kryebashkiaku i Bulqizës, do ulë në tryezë minatorët me “ACR”

Kryebashkiaku i Bulqizës, Roland Keta do ulë në tavolinë minatorët dhe përfaqësuesit e “ACR”. Kjo është marrëveshja e fundit e arritur mes kreut të Bashkisë së Bulqizës, Roland Keta dhe kreut të Konfederatës së Sindikatave, Kolë Nikolla pas takimit të zhvilluar mbrëmjen e sotme në ambientet e bashkisë.
Në një intervistë të dhënë për RTV “Ora News”, kryebashkiaku Keta ka deklaruar se disa nga pikat e kërkesës së minatorëve janë të zgjidhshme. Po ashtu ai ka deklaruar se do të negociohen edhe kërkesa të tjera të minatorëve.
Në takimin e zhvilluar mes Nikollës dhe Ketës, është diskutuar për ndihmën që bashkia mund t`i japë minatorëve grevistë, ku Keta është sensibilizuar me ta.
Dy ditë më parë, Këshilltari i Presidentit, Fatlum Nurja ka vizituar nga afër minatorët grevistë dhe në takimin e zhvilluar me ta, ai ka dëgjuar shqetësimin e tyre si dhe është njohur me gjendjen e rënduar shëndetësore.
Pasi ka dëgjuar problemet e minatorëve, Nurja tha në largim se situata do i paraqitet presidentit.
Ndërkohë që minatorët sot kanë vijuar ditën e 9-të, të grevës së urisë dhe dy prej tyre janë larguar nga këto ambiente, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.