E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greva e urisë, pritet sot një marrëveshje mes minatorëve dhe ACR-së

Greva e urisë së minatorëve të Bulqizës ka hyrë sot në ditën e 10-të të saj ndërkohë që sot pritet të arrihet një marrëveshje mes minatorëve dhe përfaqësuesve të kompanisë ACR.
 

Gjatë një takimi mbrëmjen e djeshme mes kryebashkiakut të Bulqizës Roland Keta dhe kreut të konfederatës së sindikatave Kolë Nikolla u ra dakort që minatorët të ulen në tavolinë me përfaqësues të firmës ACR për të arritur një marrëveshje në lidhje me kërkesat e tyre.
 

Ata kërkojnë rritje të pagave në masën 40 për qind, largimin e drejtorit të deritanishëm të minierës së Bulqizës, përmirësimin e kushteve të sigurisë në punë si dhe uljen e moshës së pensionit.
 

Ndërkohë ditën e djeshme dy nga minatorët grevistë kanë lënë grevën e urisë për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tyre shëndetësore.
 

Paraditen e djeshme ishte minatori Liman Isufi, 44 vjeç, ai që la grevën e urisë ndërsa në orët e pasdites u dërgua në spitalin e Bulqizës edhe minatori Gentian Ndreu.
 

Ndërkohë, 13 minatorët e tjerë të cilët prej 10 ditësh ndodhen të ngujuar 1400 metra nëntokë shprehen të vendosur për ta vazhduar grevën e urisë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›