E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryebashkiaku i Kamzës në Prokurori, abuzoi me fondet

Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi mbi 70 milionë lekë shkelje në bashkinë e Kamzës, në tre vitet e fundit

KLSH-ja dërgon për kallëzim penal kryebashkiakun e Peshkopisë dhe ish-kryekomunarin e Shëngjinit

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dërguar për kallëzim penal në Prokurori disa drejtues të bashkive dhe komunave. KLSH-ja ka dërguar për kallëzim penal kryetarin e bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, dhe nënkryetarin Arben Muja, kryetarin e bashkisë së Peshkopisë, Ilir Krosi, ish-kryetarin e komunës Shëngjin dhe ish-shefin e urbanistikës në këtë komunë. Zëdhënësi i KLSH-së, Evin Morava, tha për mediat se ky autoritet ka ushtruar një sërë kontrollesh në bashkinë Kamëz, Peshkopi dhe komunën Shëngjin, në përfundim të të cilave ka rekomandur dhe masat përkatëse për parregullsitë dhe shkeljet e dispozitave ligjore të konstatuara.

Abuzimet

Shkeljet dhe abuzimet e konstatuara nga KLSH-ja shtrihen në vitet 2005-2008, por edhe në disa periudha më të hershme. “Në bashkinë Kamëz, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi me vendim të Këshillit Bashkiak, janë miratuar subvencione për një subjekt privat në rreth 58 milionë lekë, për vitet 2006 dhe 2007, duke cenuar rëndë buxhetin e bashkisë”,- tha Morava. Sipas tij, shkelje janë gjetur edhe në ndarjen e shpërblimeve të punonjësve dhe procedurave të tenderit për ndërtim ujësjellësi në Bathore, me një dëm të shkaktuar prej rreth 14 milionë lekësh. Morava deklaroi se KLSH-ja ka konstatuar shkelje edhe në fushën e urbanistikës në këtë bashki. “KLSH-ja propozon dëmshpërblim në masën 100 për qind dhe ka rekomanduar 15 detyra të ndryshme”, - tha zëdhënësi i këtij autoriteti. Ndërkohë, sipas Moravës, KLSH-ja ka gjetur shkelje në ushtrimin e detyrës së Kryetari të bashkisë së Peshkopisë, Ilir Krosi, në dhënien e lejeve për sheshe ndërtimi në cilësinë e kryetarit të KRRT-së. “Shkelje janë konstatuar në ushtrimin e detyrës së tij në cilësinë e Kryetarit të Autoritetit Kontraktor dhe Kryetarit të KKRT-së për objektin “Sistemin, asfaltim, i rrugës-sheshi Bajram Curri –Llixha Peshkopi, faza e tretë, si dhe në cilësinë e Kryetarit të Bordit për shkelje në drejtimin, funksionimin e administrimin e Qendrës së Edukimit dhe Komunikimit Peshkopi, për periudhën 2003-2008”, - tha Morava. Për këto shkelje të konstatuara, KLSH-ja ka kërkuar dëmshpërblim në masën 100 për qind dhe ka rekomanduar 13 detyra për zbatim. Për shkeljet e konstatuara në komunën e Shëngjinit, KLSH-ja ka kallëzuar ish-Kryetarin dhe ish-Shefin e Urbanistikës dhe ka kërkuar dëmshpërblim në masën 100 %, si dhe ka rekomanduar pesë masa disiplinore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›