E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mesi, pretendent për çmimin e FIFA s

Sipas shtypit spanjoll, argjentinasi i Barcelonës mund të zgjidhet nga votat e trajnerëve

"Kristiano Ronaldo i ka fituar tashmë dy trofe personale, por ylli i Barcelonës, Mesi, mund të shkaktojë një befasi dhe të marrë trofeun e FIFA s për Lojtarin e Vitit", ka shkruar gazeta "El Mundo Deportivo". Sipas gazetës spanjolle, Lionel Mesi është pretendenti kryesor për këtë trofe, për shkak të medaljes së artë olimpike me Argjentinën, si dhe për shkak të lojës së shkëlqyer në këtë sezon me Barcelonën. Kjo e përditshme katalanse, që anon nga Barcelona, shkruan se argjentinasi do të jetë befasia e këtij çmimi dhe do të jetë ai që do të marrë këtë trofe personal në qytetin e Nionit në muajin janar. Ronaldo është favoriti pas suksesit me Junajtedin në Premier Ligë dhe Ligë Kampionësh, pasi ka shënuar 42 gola në një sezon. Edhe pse Mesi ka pasur një sezon mbresëlënës, gazeta spanjolle nuk jep ndonjë argument ose dëshmi që të mbështesë artikullin e saj, se Mesi është shumë pranë fitimit të këtij çmimi. Sipas gazetës, duke qenë se Mesi ishte i dyti në garën për "Topin e Artë", doli i dyti në listën e çmimit "FIFPro", fitoi medaljen e artë në Olimpiadën e Pekinit dhe ka qenë lojtari më i rëndësishëm i Barcelonës këtë sezon; ai e meriton të jetë fituesi i këtij çmimi personal. El Mundo Deportivo, megjithatë, e ekzagjeron pak, kur thotë se Kristiano Ronaldo nuk është parë fare në Ligën e Kampionëve, edhe pse ai ka shënuar, ndërkohë që Mesi bën për vete edhe kundërshtarët e tij. Nëse argjentinasi do ta fitojë këtë çmim, atëherë 21 vjeçari do të bëhet lojtari më i ri pas Ronaldos, që merr këtë vlerësim. Ronaldo e ka marrë këtë çmim në moshën 20 vjeçare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›