Kontribuesit, sa paguhet, si mund të siguroheni?
Kush janë kontribuesit
Skema e sigurimeve shëndetësore është një skemë kontributive. Si e tillë, ajo i siguron të ardhurat e saj kryesisht nga kontributet që derdh popullsia ekonomikisht aktive (të punësuarit në shtet dhe privat, të vetëpunësuarit në fshat dhe qytet), si edhe nga kontributi që derdh buxheti i shtetit për popullsinë jo aktive. Duke parë ecurinë në vite të zhvillimit të skemës së sigurimeve dhe të burimeve të financimit, vihet re se raporti i kontributeve të Sigurimeve Shëndetësore kundrejt totalit të të ardhurave, varion në rreth 50%.
Kontributet, sa paguhet
Masa e kontributit për personat e punësuar është 3.4 % e pagës mujore, nga të cilat 1.7% i paguan punëdhënësi dhe 1.7% i paguan punëmarrësi.
Kontributi për të vetëpunësuarit në qytet është 7% e pagës minimale, ndërsa të vetëpunësuarit në fshat paguajnë 3 % (zonat kodrinore dhe malore) dhe 5 % zonat fushore.
Sigurimi vullnetar
Sigurimi vullnetar ka të bëjë me ata njerëz që janë të vetëpunësuarit në qytet ose në fshat, qëvetësigurohen dhe duan të përfitojnë shërbime, sikurse të siguruarit. Atëherë, personi mund të paraqitet vullnetarisht për të përfituar këto shërbime, sigurisht duke bërë pagesën përkatëse pranë drejtorive rajonale të sigurimeve shëndetësore. E thënë me thjesht, t’i shkon i derdh vetë kontributet për të përfituar më pas çdo shërbim shëndetësor që ofron skema.
Duke qenë se skema e sigurimeve shëndetësore mbulon të gjithë shtetasit, është universale, me vendim të veçantë të Këshillit Administrativ, në vitin 2004 u krijuan mundësi që kategori të veçanta që nuk e gjejnë veten në ligjin ekzistues të sigurimeve shëndetësore, të sigurohen vullnetarisht.
Kush mund të sigurohet vullnetarisht?
Mund të sigurohen vullnetarisht shtetasit në rastet kur:
-nuk kanë qenë ndonjëherë në marrëshënie pune
-nuk kanë mbushur moshën e pensionit të pleqërisë
-nuk përfitojnë të drejtën për t’u regjistruar si punëkërkues të papunë dhe janë në prag të moshës së pensionit të pleqërisë
-janë studentë shqiptarë që vazhdojnë studimet pasuniversitare dhe specializime jashtë shtetit dhe duan të përfitojnë nga skema kur ndodhen në Shqipëri
-janë emigrantë shqiptarë që punojnë përkohësisht jashtë shtetit për periudhën kur ndodhen në Shqipëri
-kanë periudha shkëputjeje nga puna me leje, pa të drejtë page
-si edhe të gjitha rastet që i vlerëson ISKSH-ja.
Personi që kërkon të sigurohet vullnetarisht, në bazë të Rregullores së Sigurimit Vullnetar Nr. 2, datë 30.09.2003, lidh një aktmarrëveshje me Drejtorinë Rajonale të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, në të cilën përcaktohet shuma e kontributit që personi duhet të paguajë, mënyra e pagesës, si edhe përfitimet nga skema.
Për të vërtetuar që personi që kërkon të sigurohet vullnetarisht u përket kategorive të përcaktuara me lart, ai paraqet në DRSKSH dokumentacionin si më poshtë:
-certifikatë lindjeje
-vërtetim për vendbanimin e tij
-deklarim nga mjeku i përgjithshëm ose i familjes i gjendjes së tij shëndetësore
-kërkesë me shkrim
Që personi i siguruar në mënyrë vullnetare të përfitoje sigurim shëndetësor, duhet fillimisht të paguajë kontributin në masën e përcaktuar për një periudhë kohe për një vit. Më pas, pagesat bëhen si parapagim dhe për periudha jo më pak se tre muaj.
Masa e kontributit është 3.4 % e pagës mujore minimale, të përcaktuar çdo vit me VKM.