Kryebashkiaku i Nju Jorkut kërkon kontroll të armëve

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Majkëll Blumberg, përsëriti thirrjet për fuqizimin e ligjit të kontrollit të armëve, përfshirë edhe kontrollet biografike të njerëzve që blejnë armë zjarri. Krahas me Blumberg ishin familjarët e viktimave të tragjedisë në Arizona, si dhe aktivistë për kontrollin e armëve.
Sipas Zërit të Amerikës familjarë dhe miq të viktimave të sulmit me armë në Arizona u mblodhën në qendrën e Nju Jorkut, për të shprehur mbështetjen e tyre për kryetarin e Bashkisë Majkëll Blumberg, i cili kërkoi më tepër fonde qeveritare, masa më të rrepta sigurie, si dhe fuqizimin e ligjeve federale, që kërkojnë kontrolle të hollësishme për cilindo që përpiqet të blejë armë. Kryebashkiaku i New Yorkut tha se çdo ditë vriten me armë 34 amerikanë.
Ligji i parë i rëndësishëm për kontrollin e armëve në SHBA u miratua në vitin 1968, pas vrasjes së udhëheqësit të të drejtave civile Martin Luter King dhe Senatorit amerikan Robert Kenedi. Në vitin 1993, Presidenti Bill Clinton nënshkroi në ligj të ashtuquajturin Brady Bill, i cili kërkon kontrolle të hollësishme të sjelljes së personave që duan të blejnë armë. Por kritikët thonë se ligji nuk është zbatuar siç duhet. Kryetari i Bashkisë mbështet mbajtjen e armëve për gjueti, për praktikë dhe aktivitete sportive. Por ai nuk është dakord me personat që pretendojnë se masat për kontrollin e armëve nuk janë kushtetuese.
Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut Blumberg dhe folësit e tjerë në konferencën e shtypit në Nju Jork thanë se tani është koha për të marrë masa për kontrollin e armëve, në kushtet kur njerëzit e kanë ende të freskët tragjedinë në Tusan të Arizonës, ku u vranë 6 persona dhe u plagosën 13 të tjerë.