E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryebashkiaku qëllon me karrige në kokë paditësin

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur ditën e djeshme në gjykatën e Tiranës ku kreu i Bashkisë Kukës, Hasan Halilaj ka goditur me karrige paditësin e tij Muhamet Dalaci pas disa ofendimesh radhazi që i ka bërë ky i fundit. Ngjarja e paprecedentë ka ndodhur në zyrën e gjyqtares Rezarta Balliu në institucionin e Gjykatës së Tiranës. Nga të dhënat paraprake bëhet me dije se krye bashkiaku gjatë seancës gjyqësore, pasi ka dëgjuar pretendimet e Dalacit ka goditur në nxehje e sipër këtë të fundit duke i shkaktuar dëmtime në fytyrë.
Konflikti
Sherri midis dy palëve është acaruar ku sipas burimeve nga gjykata e Tiranës i padituri e ka sulmuar me fjalë të ashpra kryetarin e Bashkisë së Kukësit duke e akuzuar atë me fjalë të rënda. Më pas kreu i Bashkisë së Kukësit në nervozizëm e sipër i ka gjuajtur me karrige në kokë. Më pas personat që kanë qenë prezent kanë ndërhyrë për të qetësuar të dy palët. Pasi është shoqëruar në spital ku ka marrë mjekimet e para, Dalaci ka bërë denoncimin në Komisariatin numër 2 në kryeqytet. Mësohet se shtetasi Muhamet Dalaci ka paditur Bashkinë Kukës Ministrinë e Arsimit dhe Ministrinë e Financave për mbrojtje të pronësisë intelektuale.
Ngjarja
Kryetari i bashkisë së Kukësit ka goditur me karrige paditësin në një nga zyrat e gjykatës. Kryebashkiaku, Hasan Halilaj, ka pasur një konflikt me Muhamed Dalacin, i cili ka paditur bashkinë e Kukësit dhe Drejtorinë Arsimore që i akuzon për cënim të pronësisë intelektuale. Mendohet se ky sherr e ka nismën e tij që herët pasi të dy palët kanë debatuar edhe më parë në qytetin e Kukësit ku motivi i sherrit ka qenë një çështje e shtetasit Muhamet Dalaci i cili pretendon se bashkia e Kukësit dhe drejtoria e arsimore e këtij rrethi por nga ana tjetër edhe Ministria e Arsimit dhe ajo e Financave i kanë vjedhur të drejtën intelektuale. Çështja në fjalë do të hetohet tashmë dhe ky shtetas menjëherë pas ngjarjes në gjykatë ka ngritur padi drejt kreut të Bashkisë së Kukësit. Ngjarje të tilla me precedentë të pazakontë po ndodhin kohët e fundit thuajse përditë pasi vetëm një ditë më parë një gjykatës dhe një avokat u përleshën mes tyre në Gjykatën e Elbasanit. Avokati e ka gjuajtur gjykatësin me grushta dhe vetëm ndërhyrja e uniformave blu e ka qetësuar gjendjen dhe ka ndarë ky kolegët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›