E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryetari i Bashkisë së Kukësit qëllon me karrige në Gjykatë

Muhamet Dalaçi

TIRANE – Kryetari i Bashkisë Kukës, Hasan Halilaj, goditi dje me karrige e grushte inxhinierin Muhamet Dalaçi, gjatë një seance gjyqësore në një nga zyrat e Gjykatës së Tiranës. Në këtë proces civil Halilaj dhe Dalaçi janë palë kundërshtare, ku projektuesi Dalaçi është paditës dhe kryebashkiaku Halilaj është palë e paditur. Për shkak të goditjeve, Dalaçit iu shkaktuan plagë në fytyrë. Sherri i dhunshëm u zhvillua në katin e tretë të Gjykatës, në zyrën e gjyqtares Rrezarta Vigani (Balliu), e cila ishte kryesuese e seancës. Pas konfliktit, kreu i Bashkisë Kukës është larguar nga ambientet e gjykatës në drejtim të paditur. Ndërsa i dëmtuari Dalaçi menjëherë pas ngjarjes është drejtuar për në Komisariatin e Policisë Nr.2, ku ka kallëzuar dhunën e ushtruar ndaj tij. Parimisht duhet të ishte një seancë e zakonshme, e dhjeta në radhë, në një procesi civil gjyqësor, por është shndërruar në një përleshje të dhunshme në vetëm 7 minuta. Në orën 13:18 të ditës së djeshme, tri minuta më vonë se orari i paracaktuar për gjyqin, në zyrën e gjyqtares Vigani (Balliu) janë paraqitur vetëm tre nga ndërgjyqësit. Në seancë është paraqitur paditësi Muhamet Dalaçi, përfaqësuesi i Bashkisë Kukës, Hasan Halilaj, si edhe përfaqësuesja ligjore e Avokaturës së Shtetit. Ndërsa po bënte verifikimin e palëve, gjyqtarja ka relatuar mungesën e përfaqësueses së Ministrisë së Arsimit, për shkak se ndodhej në një trajnim. Sipas pretendimeve të të dëmtuarit Halilaj, në këtë moment, kryebashkiaku i Kukësit ka replikuar me gjyqtaren dhe menjëherë pas kësaj është lëshuar furishëm mbi Dalaçin, duke e goditur me mjete të forta dhe grushte. “Ai më qëlloi me grushte, me shkelma, me karrige. Ne nuk patëm asnjë debat më parë, pasi seanca sapo kishte filluar”, u mësua të ketë deklaruar Dalaçi para oficerëve në kallëzimin e tij. Referuar faqes zyrtare të Gjykatës së Tiranës në internet, në shënimet e seancës së djeshme, seanca ka përfunduar në 13:25. Sipas shënimit, gjykata ka pranuar kërkesën e një prej të paditurve, përfaqësueses së MASH, dhe ka shtyrë seancën për në 29 shtator. Kërkesë-padia e inxhinierit Muhamet Dalaçi është regjistruar në Gjykatën e Tiranës më 16 maj 2011. Palë e paditur në këtë kërkesë-padi janë Bashkia Kukës, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH),  Ministria e Financave, DP Thesarit dhe Zyra e Bankës Botërore në Shqipëri.

Elbasan, avokatët në protestë
Avokatët e Elbasanit kanë pezulluar të gjitha proceset gjyqësore, duke mos dhënë asnjë afat. Gjatë një proteste brenda institucionit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, më shumë se 50 avokatë kanë protestuar paqësisht në lidhje me arrestimin e bërë një ditë më parë të kolegut të tyre, Bujar Dyrmishi. Kryetari i Dhomës së Avokatëve, Vaso Jano, gjatë një prononcimi për mediat e ka akuzuar Policinë dhe Prokurorinë në lidhje me arrestimin e kolegut të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›