E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohen hajdutët e 30 automjeteve luksoze

Aksesorët e vjedhur të automjeteve

TIRANE – Një 25-vjeçar është arrestuar dhe bashkëpunëtori i tij është shpallur në kërkim, pasi akuzohen për të paktën 30 vjedhje makinash luksoze. Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë dje se është arrestuar Saimir Mara, nga fshati Bërxull i Tiranës, dhe është identifikuar e shpallur në kërkim Shkëlqim Tupi, 31 vjeç, nga Kruja. Arrestimi i Marës u krye gjatë operacionit të koduar “Evo 2″, që u realizua nga Komisariati Nr. 3, në bashkëpunim edhe me komisariatet 2 dhe 5. Sipas Policisë së kryeqytetit, nga hetimi i deritanishëm ka rezultuar se Mara dhe Tupi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohë e periudha të ndryshme, kanë kryer një sërë vjedhjesh të automjeteve luksoze në Tiranë. Ata, pasi kryenin vjedhjet, bënin edhe çmontimin e tyre me qëllim më pas shitjen. Falë një hetimi disamujor është bërë dokumentimi ligjor për 30 vjedhje automjetesh luksoze, ku autorët e dyshuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ruanin në fshehtësi mjetet e ndezura të harruara nga drejtuesit e tyre, duke realizuar vjedhjen në harkun kohor të dy minutave. Policia tha se së fundmi u provua implikimi i tyre në vjedhjen e makinës tip “Mercedez Benz S 320″, me targë AA 592 CP, në rrugën “Reshit Çollaku”, një “Rexhina” me targë TR 3966 N, në rrugën “Lule Bore”, si dhe navigatorët e 5 makinave të tjera luksoze që janë vjedhur gjatë muajve gusht e shtator në disa zona të ndryshme të Tiranës. Gjatë operacionit, policia sekuestroi dy automjete të vjedhura, disa shasi automjetesh, si dhe aksesorë të ndryshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›