E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeekonomisti i BB: Suksesi ekonomik i Shqipërisë erdhi nga emigracioni masiv

Share

Në një intervistë për gazetën Shqip, Indermit Gill, vlerëson faktin që shqiptarët janë shumë të lëvizshëm, duke thënë se kjo është një forcë që e çon ekonominë para

Dy vjet më parë, Indermit S. Gill, kryeekonomist i Bankës Botërore, vizitoi Shqipërinë për të prezantuar një raport të shkruar posaçërisht për ne. Raporti Axhenda e re e rritjes ekonomike tregonte se vendi ynë gjendej në një farë udhëkryqi. Sipas analizës së BB-së, rritja ekonomike e dy dekadave të fundit ka qenë e lehtë. Në thelb, Shqipëria e vitit 1990 ishte një vend fshatarësh praktikisht pa tokë e pa para, por gjithsesi të rinj dhe energjikë, që shkuan të punojnë në Europë, fituan para dhe rrjedhimisht, rritën ekonominë kombëtare. Koha tani ka ndryshuar. Rritja e lehtë ka përfunduar. Tani nevojitet arsimim, punëtorë të kualifikuar, qeverisje e mirë. Z. Gill i skandalizoi zyrtarët e qeverisë dy vite të shkuara, kur deklaroi pa dorashka se Shqipëria duhet të ulë borxhin publik ndjeshëm.

Të shtunën, Gill erdhi sërish në Tiranë për të prezantuar një studim voluminoz mbi Bashkimin Europian. Studimi për të cilin kanë kontribuar një numër i madh ekonomistësh, vëren se Europa duhet të vijojë të zgjerohet, se sistemi i saj i mbrojtjes sociale po bëhet i paqëndrueshëm, për shkak të kostos së lartë që mbart, se mbrojtja që u ofrohet punëtorëve europianë është e tepërt dhe se europianët duhet të lëvizin më shumë nga një krahinë në tjetrën e nga një vend në tjetrin në kërkim të mundësive ekonomike.

Pas prezantimit të raportit mbi Europën, Gill ofroi edhe disa komente për ekonominë shqiptare. Dy komente qenë më të rëndësishme: Shqipëria duhet të ulë borxhin dhe qeveria duhet të mbledhë taksat, sepse në këtë mënyrë mund të ndihmojë rritjen e ekonomisë dhe e dyta: rritja ekonomike e Shqipërisë gjatë dy dekadave të fundit ka qenë mbresëlënëse dhe e ardhmja do të jetë pozitive.

Në një intervistë për Shqip, Gill thotë se suksesi ekonomik i dekadës së fundit ka ardhur më së shumti nga gatishmëria e shqiptarëve për të lëvizur drejt Bashkimit Europian. Shqipëria ka një karakteristikë të këndshme, për shkak se shqiptarët janë shumë të lëvizshëm. Ju gjithmonë jeni konsideruar shumë të lëvizshëm. Sa më e madhe të jetë lëvizshmëria, aq më dinamike do të jetë ekonomia e Europës, tha Gill.

I pyetur për rikthimin e të shkolluarve jashtë, ai tha: Ju keni nevojë për politika të mira në përgjithësi. Nuk nevojiten politika të posaçme për ti kthyer. Ju nuk keni nevojë për ti kthyer të gjithë, por duhet ti jepni një perspektivë për të kthyer pas paratë dhe njohuritë. Unë jam simpatizues i madh i lëvizshmërisë. Ndoshta këtu jam pak i njëanshëm, sepse unë vetë ika nga India për në SHBA.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›