E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryefamiljari, thikë mbi gruan dhe vajzën

DURRËS/ Policia ka prangosur Sotiraq Kurilën pasi tentoi të vrasë bashkëshorten dhe plagosi të bijën 15-vjeçare


Dhuna e vazhdueshme e kryefamiljarit kishte bërë që gjykata të vendoste urdhër për mbrojtjen e familjes


DURRËS - Ka dashur të marrë hak ndaj bashkëshortes, e cila kishte "zaptuar" banesën e tij, madje duke mos lejuar të shkelë në të. Por në këtë tentativë ka goditur me thikë jo vetëm gruan, por edhe vajzën, e cila ka dalë në mbrojtje të së ëmës.


Policia e Durrësit ka vënë në pranga Sotiraq Kurilën, 52 vjeç, teksa ndaj tij janë ngritur akuzat e "vrasjes me paramendim mbetur në tentativë", "keqtrajtimit të të miturve" dhe "shkelje e urdhrit të gjykatës", ndërsa bashkëshortja e tij dhe vajza kanë përfunduar në spital, por janë jashtë rrezikut për jetën.


Ngjarja


Gjithçka ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së premtes teksa Sotiraq Kurila ka shkuar në banesën e vet dhe ka tentuar të vrasë me thikë bashkëshorten e tij Aleksandra Kurila, e cila banonte së bashku me dy vajzat. Gjithçka është parë edhe nga e bija 15-vjeçare, e cila është futur mes dy prindërve për të mbrojtur të ëmën dhe në këtë kohë është qëlluar me thikë nga babai i saj.


Mbrojtja e nënës mësohet të ketë qenë edhe pasojë e dhunës së vazhdueshme që kryefamiljari ushtronte ndaj familjes së tij. Gruaja dhe e bija e kanë qëlluar 52-vjeçarin me mjete rrethanore, duke i shkaktuar plagë, gjithsesi pa mundur ta ndalin.


Zhurmat duket se kanë qenë shkak për ndërhyrjen e policisë në vendngjarje, e cila ka vënë në pranga Sotiraqin, ndërsa ka shoqëruar për në spital gruan 46-vjeçare dhe vajzën e saj vetëm 15 vjeçe.


Mësohet se pasi kanë marrë ndihmën mjekësore, ato janë jashtë rrezikut për jetën. Ndihmë mjekësore ka marrë edhe vetë kryefamiljari, pasi ishte goditur në kokë me mjete të forta.


Konflikti


Mësohet se gjithçka e ka pikënisjen në faktin që kryefamiljari ushtronte dhunë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes, pa kursyer edhe dy vajzat e tij. Një gjë e tillë ka bërë që gruaja të denoncojë në polici bashkëshortin.


Si rrjedhojë, më 11 gusht Gjykata e Durrësit ka nxjerrë urdhër të menjëhershëm të mbrojtjes duke vendosur që Aleksandra Kurila dhe dy vajzat e saj do të jetonin në banesën e Sotiraq Kurilës, ndërsa ky i fundit duhet të lironte shtëpinë dhe të mos i afrohej asnjërës prej tre grave të familjes së vet. Po në të njëjtën ditë një vendim i tillë i është bërë i njohur edhe 52-vjeçarit. Por duket se një gjë e tillë nuk është mirëpritur.


Kështu, rreth orës 03:45 të datës 13 gusht, kryefamiljari ka shkuar në banesë, ka kërcënuar dhe ka tentuar të vrasë me thikë bashkëshorten e tij. Ka qenë pikërisht ky momenti kur vajza 15-vjeçare ka ndërhyrë duke mbetur e plagosur nga babai i saj.


Pas thyerjes së vendimit të gjykatës, Sotiraq Kurila është vënë në pranga, ndërsa do të përballet me tri akuza, mes të cilave edhe "vrasje me paramendim e mbetur në tentativë", si dhe "keqtrajtim të të miturve".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›