E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryegjyqtari i Tiranës fut në sherr Presidentin me ministrin

09/07/2009  KLD: Topi votoi për tjetër kandidaturë. Alibeaj: Zeneli është gjyqtar i sapoemëruar

TIRANË- Pas më shumë se gjashtë muajsh pritje dhe grumbullim të kandidaturave, KLD-ja me 7 vota pro dhe katër kundër miratoi dje emrin e kreut të gjykatës më të madhe në vend, atë të Tiranës. Artan Zeneli ka fituar ndjeshëm ndaj kandidaturave të tjera që ishin Manjola Bejleri dhe Petrit Çomo. Këta të fundit kanë pasur vetëm nga një votë. Ndërkohë që po një votë ka pasur edhe kandidati tjetër Kastriot Selita, i cili ka marrë votën e Presidentit Bamir Topi, njëherësh edhe të kryetarit të KLD-së. Mbledhja e djeshme ka nisur me debate të forta mes kreut të KLD-së Presidentit Bamir Topi dhe ministrit të Drejtësisë Enkelejd Alibeaj. Kundërshti të forta ka pasur për emrin e kreut të gjykatës së Tiranës. Sipas ministrit, nuk mund të vihet në krye të gjykatës një gjyqtar i sapoemëruar. Jo zyrtarisht, gjyqtarët që kishin kandidaturën për kreun e gjykatës një ditë para mbledhjes e dinin shumë mirë se kush do të emërohej dhe për këtë arsye disa prej tyre ishin tërhequr. Por nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë u reagua menjëherë pas deklaratave të ministrit Enkeled Alibeaj. Sipas KLD-së, në përfundim të një diskutimi të gjerë dhe me debate juridike, këshilli me shumicë të votave vendosi emërimin e gjyqtarit Artan Zeneli, në pozicionin e kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë të kryeqytetit. “Në vlerësim të transparencës gjatë procesit të vendimmarrjes, Kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Bamir Topi, deklaroi se vota e tij shkoi në favor të kandidatit Kastriot Selita, aktualisht kryetar i gjykatës së rrethit gjyqësor Dibër”, deklaroi zyra e shtypit. Më tej në deklaratë thuhet se: “Rezultatet e votimit në favor të kandidatit Zeneli përjashtuan edhe Zëvendëskryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, i cili votoi në favor të kandidates Manjola Bejleri, si dhe anëtarin Neshat Fana e një anëtar tjetër të KLD-së, të cilët votuan në favor të kandidatit Petrit Çomo. Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, nuk votoi për asnjë kandidat pasi mbajti qëndrimin se nuk janë plotësuar të gjitha kriteret ligjore për emërimin e kryetarit të gjykatës. Artan Zeneli u riemërua në detyrën e gjyqtarit të gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë me propozim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe dekret nr. 6207 datë 12.06.2009 të Presidentit të Republikës”.

Reagimi i Alibeajt

Procesi i përzgjedhjes së kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ishte një proces tërësisht fals, jo transparent dhe i paramenduar. Si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë së pari kërkova pjesëmarrjen edhe të mediave si një standard i vendosur kohë më parë në proceset e zgjedhjes së kryetarëve të gjykatave, që procesi të jetë i hapur, transparent, kjo në shërbim të publikut. Mjafton t’ju sqaroj që kandidatura, e cila u përzgjodh si kryetar i Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, është emëruar si gjyqtar jo më pak se një javë më parë. Jo vetëm kaq, por procesi i përzgjedhjes ishte tërësisht në thyerje të ligjit . Ligji për Organizimit dhe Funksionimin e Pushtetit Gjyqësor kërkon së paku që gjyqtari, i cili do të kandidojë dhe që do të përzgjidhet duhet të jetë anëtar i kësaj gjykate dhe i kësaj trupe gjyqësore jo më pak se 4 vjet. Do të duhet që të gjitha kandidaturat të kishin vlerësimin nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, vlerësim profesional, shumë mirë madje, me “notën shumë mirë”, për dy herë. Për asnjërën nga kandidaturat nuk kishte një vlerësim të tillë kjo në thyerje tërësisht të ligjit. Ky ishte një proces i paramenduar dhe ky është rasti më flagrant i kapjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Është rasti më flagrant dhe mesazhi më i keq që i çohet sistemit gjyqësor. Mesazhi më i keq që i çohet zbatimit të reformave ligjore, të reformave të sistemit gjyqësor është rasti më energjik i nëpërkëmbjes së ligjit, i nëpërkëmbjes së shtetit, është rasti i cili ka caktuar sot njollën më të errët të sistemit gjyqësor dhe të institucioneve të tij.

Përplasjet më të bujshme KLD-Ministri

1-Më 28 qershor 2009 Ministria e Drejtësisë reagoi pas deklaratës së KLD-së për shkarkimin e tre gjyqtarëve që i dhanë pafajësi Mihal Delijorgjit gjatë gjykimit të tij në Durrës katër vjet më parë. Ministri i Drejtësisë nuk kërkoi procedim disiplinor për gjyqtarët, gjë të cilën e kërkoi KLD-ja.

2- Më 22 tetor 2008 Këshilli i Lartë i Drejtësisë gjykoi për masë disiplinore 12 gjyqtarë të gjykatave të ndryshme. Ky fakt u bë dje i ditur nga KLD-ja nëpërmjet një deklarate për shtyp. Kërkesat për procedimin e gjyqtarëve janë bërë nga Ministria e Drejtësisë, përveç gjyqtarëve që gjykuan dosjen e Delijorgjit.

3- Më 5 mars 2009 projektligji për Gjykatën Administrative, i propozuar nga Ministria e Drejtësisë, ka pasur kontestime nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe për projektligjin "Për organizimin e pushtetit gjyqësor". Këshilli i Lartë i Drejtësisë dhe Ministria e Drejtësisë nuk ndanin të njëjtin vlerësim.

4- Më 2 shkurt 2008 pika e parë e rendit të ditës në mbledhjen e KLD-së ka provokuar debate dhe replika mes ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, dhe kryetarit të Gjykatës së Lartë, Thimio Kondi. Debati konsistonte në lidhje me faktin mes natyrës së kontrollit që duhet të ushtrojnë Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë dhe ai i KLD-së.

5- Më 23 maj të vitit 2007 Këshilli i Lartë i Drejtësisë rrëzoi kërkesën e ish- ministrit Ilir Rusmali për shkarkimin e Artan Gjermenit. Pas debateve të shumta që zgjatën 4 orë, Këshilli vendosi që Gjermeni të përfundojë mandatin e tij. Gjashtë vota të anëtarëve të KLD-së kanë mjaftuar për të rrëzuar kërkesën e ministrit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›