E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali “Deliu”, pritet lirimi i të burgosurit

09/07/2009  Petrit Deliu nga Berati ka 6 muaj që mbahet në burgun e Kosovës në mënyrë jo ligjore

Bashkëpunimi prokurori-gjykatë ka bërë që vendimi i 6 shkurtit të dalë në sipërfaqe

TIRANE- Skandali i mbajtjes për 6 muajsh në burg pa vendim gjykate të shtetasit Petrit Deliu, duket se po merr zgjidhje nga Prokuroria e Përgjithshme dhe Gjykata e Lartë. Pas denoncimit të këtij skandali në gazetën “Metropol”, dy drejtueset e këtyre institucioneve Ina Rama dhe Shpresa Beçaj, kanë urdhëruar vartësit e tyre që të marrin masa të menjëhershme, në mënyrë që vendimi i datës 6 shkurt 2009 të ekzekutohet dhe 35-vjeçari nga qyteti i Beratit të fitojë lirinë që i është mohuar për 6 muaj me radhë. Pikërisht për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi, dy institucionet që gjatë kësaj kohe fajësonin njëra-tjetrën, më së fundi kanë gjetur rrugën e bashkëpunim midis tyre. Nisur nga kjo frymë pozitive, vendimi i shumicës së gjyqtarëve që mban numrin 6/5 të regjistrit themeltar si dhe numrin 2 të vendimit, ka dalë nga sirtarët e Gjykatës së Lartë dhe i është dërguar dy ditë më parë Prokurorisë së Përgjithshme, në mënyrë që kjo e fundit ta ekzekutojë atë. Mësohet se materiali ku kanë firmosur pro lirimit, 9 gjyqtarë, midis tyre edhe kryetarja e gjykatës Shpresa Beçaj, ka mbërritur në organin qendror të akuzës në mesditë. Aktualisht pritet që prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme të ekzekutojnë sa më parë vendimin e shumicës së dhënë nga Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë në datën 6 shkurt të këtij viti, ku 35-vjeçari Petrit Deliu është dënuar me tre vjet heqje lirie, çka do të thotë që ai të lirohej dhe të dëmshpërblehej financiarisht, pasi kishte më shumë se 5 vjet që qëndronte në qelitë e burgut të Kosovës. Ekzekutimin e vendimit të sipërcituar nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme e kanë konfirmuar edhe burimet zyrtare pranë këtij institucioni, të cilët thanë se shumë shpejt kjo çështje do të marrë zgjidhje dhe 35-vjeçari Petrit Deliu nga komuna Otllakë e Beratit do të lerë qelinë e burgut të Kosovës.

1 korrik 2009, botohet artikulli

Pikërisht në këtë kohë gazeta “Metropol” ka botuar në një nga faqet e saj, skandalin e mbajtjes për 6 muaj në burg në mënyrë të padrejtë të 35-vjeçarit Petrit Deliu. Në publikimin e kësaj çështjeje tregohej se si babai i dy fëmijëve Petrit Deliu, vazhdonte të mbahej në qeli nga metodat burokratike të Gjykatës së Lartë dhe prokurorëve të Prokurorisë së Përgjithshme. Edhe pse në rastin konkret ishte zbardhur një vendim shumice, ku mbi të cilin kishin firmosur 9 gjyqtarë, ky vendim prej kohësh nuk dilte në sipërfaqe.

4 korrik 2009, reagon Avokati i Popullit

Në këtë datë është botuar një shkrim, ku pas publikimit të skandalit në dijeni të tij ishte vënë edhe institucioni i Avokatit të Popullit, që drejtohet nga Ermir Dobjani. Ky i fundit ka mbledhur vartësit e tij, duke i dhënë urdhër të fillojnë verifikimet në Gjykatën e Lartë si dhe në Prokurorinë e Përgjithshme. Mësohet se brenda një dite inspektorët e Avokatit të Popullit i kanë dërguar dy shkresa Gjykatës së Lartë, në mënyrë që kjo e fundit t’i informonte ata lidhur me skandalin e mbajtjes në burg në mënyrë të padrejtë të shtetasit 35-vjeçar Petrit Deliu.

8 korrik 2009, vihet në dijeni gjykata

Botohet një shkrim, ku i rikujtohet përsëri Prokurorisë dhe gjykatës, se ato prej 6 muajsh kishin harruar në burg një shtetas shqiptar. Madje në të përmendej edhe neni 251 i Kodit Penal, të cilin gjyqtarë e prokurorë e kishin shkelur me të dyja këmbët, pasi kushtëzimet që tregohen në këtë nen për mosmarrjen e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë, nuk ishin zbatuar nga të dyja palët. Ndërkohë që aktualisht pritet të ekzekutohet nga Prokuroria e Përgjithshme vendimi për lirimin e Petrit Deliut.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›