E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kryeinspektori Muçaj për ATSH-në: Sektori i ndërtimit, problematik për sigurinë në punë dhe informalitetin

TIRANË, 10 shkurt/ATSH/ Inteligjenca Artificiale po e bën inspektimin e punës më të zgjuar dhe më efektiv. MIRA – Matrica e Inteligjencës dhe Analizës së Riskut, një mjet i zhvilluar për Inspektoratin Shtetëror të Punës në Shqipëri me mbështetjen e ILO dhe financim të Bashkimit Europian, është një platformë inovative që ka modernizuar inspektimin e punës në Shqipëri.

Kryeinspektori i Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Sociale, Eljo Muçaj në një intervistë për ATSH-në flet për ndikimin e MIRA-s në tregun e punës, ndërsa rendit edhe sektorët më problematikë sa i takon sigurisë në punë apo informalitetit, ku sipas tij, sektori i ndërtimit është ndër sektorët që shfaq problematikë.

Duke përdorur teknologji të avancuara, ky sistem mbledh, analizon dhe përdor të dhënat në kohë reale për të përmirësuar proceset e inspektimit dhe vendimmarrjen.

MIRA synon të orientojë inspektorët drejt vendimmarrjeve objektive dhe të unifikuara sipas standardeve ligjore, te përcaktojë prioritetet e inspektimeve duke u fokusuar në subjektet me rrezik të lartë të shkeljeve ligjore, por njëkohësisht të ndërgjegjësojë punëdhënësit mbi detyrimet ligjore, duke nxitur përputhshmërinë me legjislacionin e punës.

Ky sistem redukton supozimet, minimizon burokracinë dhe siguron inspektime më të drejta dhe më të qëndrueshme – duke krijuar eventualisht vende pune më të sigurta dhe më të përputhshme me ligjin.

“MIRA nuk është thjesht një sistem teknologjik, por një standard i ri dhe qasje inovative për inspektimin e punës duke mundësuar një treg pune më të drejtë, më transparent dhe më të qëndrueshëm”, thotë ai.

Përfitimet kryesore për Inspektoratin dhe bizneset, theksoi Muçaj, përfshijnë inspektimet më efektive dhe të targetuara

“MIRA përdor analiza të dhënash për të identifikuar subjektet me rrezik më të lartë të shkeljeve, duke ndihmuar në përdorimin më efikas të burimeve inspektuese”, shprehet ai.

Njëkohësisht, shtoi ai, ofron transparencë dhe unifikim në vendimmarrje.

“MIRA mbështetet në mbi 3,000 dispozita ligjore, duke reduktuar subjektivitetin dhe duke garantuar një trajtimi të barabartë për të gjitha bizneset”, deklaroi Muçaj.

Përmes këtij sistemi, Muçaj thotë se do të ketë reduktim të formave të këqija të punës.

“Identifikimi i hershëm i praktikave abuzive ndihmon në mbrojtjen e punonjësve dhe përmirësimin e kushteve të punës”, shtoi kryeinspektori.

Por ky sistem do të jetë dhe një mbështetje për bizneset.

Falë ndërgjegjësimit dhe qartësisë ligjore, shprehet Muçaj, MIRA ndihmon në reduktimin e penaliteteve, duke i ndihmuar punëdhënësit të zbatojnë më mirë detyrimet e tyre.

Pas pilotimit 1-vjeçar të këtij sistemi, Muçaj ndan dhe disa nga problematikat e evidentuara.

Ai thotë se MIRA funksionon mjaft mirë, sepse kryen një analizë të ndërthurur të faktorëve relevantë bazuar të dhënat historike, duke mundësuar evidentimin e subjekteve potenciale me risk të lartë si dhe të identifikojë zonat ku mund të ndodhë punë e padeklaruar ose e nëndeklaruar, bazuar në faktorë si madhësia dhe lloji i biznesit, vendndodhja, industria, ndryshimet sezonale, orari i punës, periudha e punës dhe historiku i përputhshmërisë me inspektimet e mëparshme.

“Që në muajt e saj të parë të përdorimit të MIRA-s, rezultoi një përmirësim prej 30% në parashikimin e punës së padeklaruar dhe të nëndeklaruar, krahasuar me metodat e mëparshme të vlerësimit”, theksoi Muçaj.

Sipas kryeinspektorit, afërsisht 68% e rasteve të identifikuara të punësimit informal janë pjesë e inspektimeve të planifikuara me bazë risku nëpërmjet MIRA-s, një përmirësim i dukshëm krahasuar me inspektimet e paplanifikuara.

Njëkohësisht shton ai, planifikimi i automatizuar ka reduktuar gabimet dhe ka përshpejtuar procesin, duke u mundësuar inspektorëve të përqendrohen në cilësinë e inspektimit, identifikimin dhe adresimin e shkeljeve më kritike.

“Në lidhje me sektorët, mund të themi që analizat e të dhënave kanë treguar se sektori i ndërtimit është ndër sektorët që shfaq problematikë për sa i përket shkeljeve të sigurisë në punë dhe informalitetit në punë. Me implementimin e MIRA-s, inspektimet në sektorin e ndërtimit janë bërë më të targetuara dhe më efektive, duke rritur ndërgjegjësimin, kontrollin dhe sigurinë për punonjësit në këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë“, deklaroi kryeinspektori.

Ndryshe nga sistemet tradicionale, MIRA mëson dhe përmirësohet me kalimin e kohës.

Me mbi 10,000 inspektime të kryera çdo vit në Shqipëri dhe të dhëna të mbledhura për më shumë se 100 variabla për çdo inspektim, aftësitë e mësimit dhe parashikimit të MIRA forcohen vazhdimisht.

MIRA përshtatet me trendet e reja dhe përmirësohet gradualisht, duke trajtuar sasi gjithnjë e më të mëdha të dhënash pa kërkuar burime shtesë. Kjo do të thotë që MIRA nuk ndihmon vetëm inspektorët të punojnë më zgjuar sot, por vazhdon të evoluojë për të përballuar sfidat e së ardhmes.

Ndërsa Inspektorati Shtetëror i Punës vazhdon të përmirësojë proceset e tij, MIRA qëndron si një model i transformimit teknologjik në inspektimet e punës. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›