E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strasburgu, mision për decentralizimin e qeverisjes në Shqipëri



Këto ditë pritet të vijnë përfaqësues të Këshillit të Europës për të verifikuar procesin e decentralizimit të qeverisjes qendrore dhe vendore në Shqipëri. Burimet zyrtare të kësaj organizate kanë bërë të ditur se Tiranën zyrtare do ta vizitojë Ian Micallef, president në detyrë i Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, i cili pritet të vlerësojë situatën e demokracisë lokale dhe rajonale në vend. Micallef vjen pikërisht në momentin kur shënohet përplasja e radhës mes qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës për pronën në qendër të kryeqytetit. Kreu i Kongresit të Autoriteteve Lokale do të takohet me presidentin Topi, kryeministrin Berisha, ministrin e Brendshëm Basha, kryebashkiakun Rama si dhe drejtuesit e shoqatave të bashkive dhe komunave në vend. Me vizitën përkon edhe një seminar ndërkombëtar mbi decentralizimin dhe qeverisjen lokale në Evropën Jug-lindore dhe Kaukazin e Jugut i cili do të mbahet në datat 2 dhe 3 Nentor në Hotel Grand Europa në Shkodër, shtëpia e agjencisë së parë për demokracinë lokale në Shqipëri (e cila është pjesë e një rrjeti të krijuar me iniciativën e Kongresit). Seminari do të fokusohet mbi sfidat e decentralizimit dhe rrugët e forcimit të rolit të qeverisjes lokale si një katalizator për ringjalljen lokale. Raporti më i fundit i Kongresit mbi situatën e demokracisë lokale dhe rajonale në Shqipëri doli në Tetor 2006. Në mars të vitit 2007 Kongresi miratoi një rekomandim në vijim të zgjedhjeve lokale në vend, pas vëzhgimit të kryer në Shkurt 2007. Në fund të misionit, zoti Micallef do të paraqesë një raport mbi rezultatet e vizitës pranë Byrosë së Kongresit e cila do të mblidhet në Dhjetor 2009. Para disa vitesh u regjistrua një konflikt mes Bashkisë së kryeqytetit dhe qeverisë në lidhje me ndërtimin e nënkalimit tek Zogu i Zi, të cilin e prishi Ministria e Transporteve, paçka se qeverisja vendore fitoi në Gjykatën Kushtetuese. Konflikti u mbyll me prishjen e objektit dhe ndërtimin e një objekti të ri sipas preferencave të qeverisë, duke cenuar kompetencat e qeverisjes vendore, dhe duke i shkaktuar qytetarëve disa milionë euro humbje.

A. Gjoka

Qeverisja qendrore dhe vendore, histori konfliktesh

Rasti më i fundit për prishjen e një prone nën administrimin e Bashkisë së Tiranës është vetëm një detaj në konfliktet mes qeverisjes qendrore dhe asaj vendore në vendin tonë. Para disa kohësh pati një konflikt në lidhje me sistemin e taksave. Qeveria, në mënyrë arbitrare caktoi tavanin për barrën fiskale që duhet të vendosin bashkitë dhe komunat. Pjesë e përplasjeve mes dy niveleve të qeverisjes është edhe plani rregullues i Tiranës dhe e ashtuquajtura “Unaza e Madhe”. Në historinë e konflikteve janë edhe rastet e projektit të Zogut të Zi, disa viteve më parë, ku qeveria rrëzoi në mënyrë arbitrare projektin e nisur nga Bashkia; po ashtu, në morinë e probleme e janë edhe çështjet e përcaktimit të buxhetit vjetor që iu përket bashkive dhe që shpërndahet nga qeverisja qendrore.

2 Nentor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›