Kryeinspektori i plagosur: Konflikte kam pasur vetëm me LSI-në
Kryeinspektori Ndërtimor i Bashkisë së Tiranës, Ardit Kaja, dy ditë pas atentatit të bërë ndaj tij, ka theksuar për mediat si moment të konflikteve të tij në punë, rastin e konfliktit me militantët e LSI-së në aksionin bashkiak për heqjen e posterave. Kjo deklaratë e Kajës vjen pas deklaratës së dy ditëve më parë, të bërë nga Edi Rama, ku fajësoi direkt LSI-në për atentatin, ndërsa ditën e atentatit, Kaja deklaroi se nuk mund të vinte gishtin konkretisht për përgjegjësinë e atentatit. Këtë deklaratë Kaja bëri dhe para hetuesve. Kaja shpjegon se gjatë një viti pune në postin e kreut të Inspektoratit të Ndërtimit, nuk ka pasur asnjë konflikt, por ai veçon të shtunën, kur ka debatuar ashpër me militantë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të cilët nuk i ka lejuar të vendosin flamuj, nëpër objekte të ndryshme në rrugët e kryeqytetit. “Militantëve të një partie, u kërkuam që të hiqnin banderolat, nuk pranuan, më pas u konfliktuam me fjalë derisa erdhi policia. Në mbrëmje ndodhi një tjetër incident, ku patëm dhe presione nga forcat e policisë”, deklaroi Kaja. Një ditë pas plagosjes, kreu i Inspektoratit Ndërtimor të Bashkisë së Tiranës, Ardit Kaja ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore, i shtruar në dhomën numër 5, në katin e tretë të Spitalit Ushtarak. Ai tregon momentin se si i shpëtoi për mrekulli plumbave të dy personave të panjohur, që qëlluan duke e plagosur me një plumb në këmbën e majtë. “Si çdo ditë, mora makinën dhe u nisa për në punë. Tek bulevardi i Ministrisë së Mbrojtjes, dy persona me motor më qëlluan dhe më plagosën. Vura re vetëm momentin kur më qëlluan. Kur ata u afruan, instiktivisht ktheva kokën dhe pashë që po qëllonin drejt meje”, është shprehur Kaja.