Burgaj: Po hetojmë atentatet, rasti i Kajës jo politik
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë shprehet në lidhje me atentatin ndaj Kryeinspektorit ndërtimor të Bashkisë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka deklaruar dje në lidhje me atentatin ndaj Kryeinspektorit Ndërtimor të Tiranës, Ardit Kaja, duke u shprehur se policia është ende në fazën e hetimit për zbardhjen e ngjarjes dhe se ende nuk ka asnjë të dhënë, që të sugjerojë variantin e “pistës politike”. Në prononcimin e tij për këtë çështje, drejtori Burgaj ka lënë të nënkuptohet se pista e “atentatit politik” është më pak e mundshmja deri në këtë fazë të hetimeve. Në lidhje me incidentet me armë të kohëve të fundit, Burgaj lidhi vetëm dy rastet, atë të Lezhës dhe Dajtit, si indirekt me fushatën elektorale, por për plagosjen e Ardit Kajës, shefit të Inspektoratit të Ndërtimit, Burgaj tha se ende nuk dihen motivet dhe se po punohet. “Ka pasur lidhje me procesin zgjedhor, në mënyrë indirekte sepse këto kanë qenë konflikte të çastit. Po hetojmë dhe shpresoj se së shpejti do të njiheni me të vërtetën”, u ka thënë Burgaj gazetarëve. Më pas, Burgaj është përqendruar edhe në konfliktin e lindur mes subjekteve politike (rasti i LSI-së) me punonjësit e Inspektoratit Ndërtimor të Bashkisë, në lidhje me shfrytëzimin e hapësirave publike nga posterat e fushatës elektorale. Burgaj ka theksuar se do të presë një vendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës, lidhur me vendin ku duhet të vendosen simbolet politike. “Të gjitha bashkitë duhet të marrin vendim, se në cilat zona lejohen flamujt politikë dhe në cilat jo. Ne jemi të hapur për të zbatuar çdo vendim të ligjshëm”, ka theksuar Burgaj. Në harkun kohor të dy javëve janë regjistruar tre incidente në Shqipëri dhe plagosje, ku të përfshirë kanë qenë personazhe të lidhur drejtpërdrejtë me politikën. Dy ditë më parë, Kryeinspektori i Policisë Ndërtimore në Bashkinë e Tiranës, Ardit Kaja, 38 vjeç, është plagosur me armë zjarri shumë pranë selisë së Partisë Socialiste, nga 2 persona ende të paidentifikuar prej policisë. Atentati ndaj Kajës është kryer rreth orës 09:45 minuta të ditës së hënë, ekzaktësisht në rrugën që lidh Ministrinë e Bujqësisë me selinë qendrore të Partisë Socialiste, ndërsa Kaja ka qenë duke ngarë i vetëm automjetin e tij, ndërkohë që po shkonte për në zyrë, në Bashkinë e Tiranës. Atentatorët kanë pritur një moment të volitshëm për kryerjen e veprimeve të tyre, ata kanë pritur që Kaja të hipte në automjetin e tij dhe kanë qëlluar pikërisht në një moment kur Kaja po drejtonte automjetin me shpejtësi minimale. Dy atentatorët kanë përdorur një motor sportiv, 1 mijë kubikësh, dhe që të dy kanë qenë të veshur me rroba të vjetra dhe skafandra në kokë, duke siguruar anonimatin. Përpara se një prej personave që ishin në motor të qëllonte mbi Kajën, ky i fundit ka mundur të perceptojë veprimin e dyshimtë nga ana e tyre. Në momentin e atentatit, Kaja ka qenë duke folur në telefon dhe ka parë me bisht të syrit, vetëm pak çaste para të shtënave, drejtimin e pistoletës me silenciator ndaj tij. Menjëherë në atë moment, Kaja ka orientuar automjetin në krah të kundërt dhe është përkulur për të shmangur plagët. Policia nga ana e saj, një ndër pistat e hetimit ka edhe lidhjen e mundshme mes atentatit të Kajës dhe atij të biznesmenit Dritan Avllaj, i njohur dhe si “Tan Lepri”, ndodhur dy javë më parë.