E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roland Trebicka i sëmurë, qeveria financon kurimin

Në mënyrë të vetvetishme të krijohet ideja se ata që u ofrojnë të tjerëve buzëqeshje, që të bëjnë të harrosh apo të ndihesh mirë, qoftë edhe për pak, nuk janë si gjithë të tjerët.Sikur trishtimi, dhimbja, sëmundja nuk kanë asnjë lloj lidhjeje me ta. Aq më tepër kur bëhet fjalë për figura të dashura si Roland Trebicka, që të tilla gjëra tokësore nuk ia uron kurrsesi. Kohët e fundit aktori i madh shqiptar po kurohet nga një sëmundje e rëndë. Për tiu gjendur pranë në këtë moment të vështirë dhe për të treguar mbështetjen ndaj figurave të shquara të artit shqiptar, në mbledhjen e tij më të fundit, Këshilli i Ministrave miratoi një shtesë fondi në buxhetin e Ministrisë së Shëndetësisë për kurimin e aktorit. Në këtë vendim thuhet se me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave vendosi: Ministrisë së Shëndetësisë, në buxhetin e miratuar për vitin 2011, në zërin Mallra dhe shërbime, ti shtohet fondi prej 4 700 000 lekësh për përballimin e shpenzimeve të kurimit të zotit Roland Trebicka, në Francë. Ky fond të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Më tej thuhet se për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Financave. Mësohet se aktori 64-vjeçar kurohet prej gati një muaj në Paris, ku ndodhet edhe një prej vajzave të tij. Si një nga aktorët më aktivë dhe më të kërkuar nga publiku, deri para pak kohësh ai ishte protagonist i një prej veprave që po shfaqej në Teatrin Kombëtar. Bëhet fjalë për dramën Tabloja absurde, me regji të Milto Kutalit, ku interpretonte rolin e një personazhi të pikturuar në një tablo gjatë kohës së diktaturës komuniste. Për shkak të gjendjes shëndetësore, drama, e cila do të jepej gjatë muajit janar të këtij viti, u ndërpre.
Aktori
Roland Trebicka lindi në Korçë, në vitin 1947. Karriera e Roland Trebickës si aktor fillon me rolin e Kostës, në filmin Debatik, më 1961-shin. Ishte kjo përvojë që shënoi kursin që do të merrte më vonë jeta e djaloshit korçar.
Prirja e tij e jashtëzakonshme për humor spontan i siguroi një pozitë të privilegjuar në kohën e shërbimit ushtarak: shërbeu si aktor në Estradën profesioniste të SHQUP (Shtëpia Qendrore e Ushtrisë Popullore), ose shkurt Estrada e Ushtarit. Vitet në këtë trupë profesioniste ishin për Trebickën stazhi i nevojshëm që i hapi më pas rrugën drejt Teatrit Popullor, sot Teatri Kombëtar. Ai u bë anëtar i trupës së Teatrit Kombëtar më 1971-shin dhe punoi aty deri në vitin 1999. Pas një përvoje trevjeçare me kompaninë Publimedia, u kthye në Teatrin Kombëtar.
Megjithëse ka realizuar shumë role si në skenën e teatrit, ashtu edhe në kinematografi, kulmin e suksesit në publik e arriti me rolin e Jovan Bregut në komedinë Pallati 176. Personazhi i Jovan Bregut është i papërsëritshëm dhe bën të qeshë të gjithë brezat, në çdo kohë. Batutat e tij janë bërë pjesë e zhargonit të përditshëm. Por rolet e Trebickës në teatër janë të shumta. Shikuesit e kujtojnë me nostalgji në rolet e Xhenarinos te Magjia e madhe, Zganarelit te Don Zhuani, Hlestakovit te Inspektori (Revizori)…. te Një burrë me trëndafil. Në vitin 2002, për rolin e Rojës te Mbreti po vdes, Trebicka ishte kandidat për çmimin Aktori më i mirë mbështetës në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit Eksperimental në Kajro. Ka luajtur edhe në disa filma, ndër të cilët vlen të përmenden Ëndërr për një karrige dhe Koncert në vitin 1936. Është nderuar me titullin Artist i merituar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›