Sekuestrohen kamerat, filmuan dy atentatorët e Tan Leprit
Tiranë Grupi hetimor që po heton atentatin ndaj Dritan Avllajt ka sekuestruar dje kasetat e kamerave të sigurisë që mund të kenë filmuar dy atentatorët. Bëhet fjalë për kamerat e sigurisë së një banke në Rrugën e Elbasanit, ku dyshohet të kenë kaluar dy personat që qëlluan me 9 plumba personazhin e njohur si Tan Lepri mbrëmjen e 24 marsit. Sipas burimeve të rezervuara, mësohet se sekuestrimi i kamerave të sigurisë ka ardhur pas informacioneve se motori me të cilin lëviznin dy të dyshuarit ka ndjekur itinerarin që përkon me vendin ku janë vendosur kamerat. Deri tani ende nuk ka të dhëna rreth pamjeve filmike të regjistruara mbrëmjen e 24 marsit, pak çaste pas plagosjes së Dritan Avvlajt, por burimet saktësojnë se gjithçka po verifikohet në mënyrë të imtësishme. “Sekuestrimi i kamerave të sigurisë ka ardhur pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, se motori me të cilin lëviznin dy të dyshuarit ka ndjekur itinerarin që përkon me fushëpamjen e kamerave” - thanë burime të rezervuara. Sipas të njëjtave burime, mësohet se të dyshuarit, pasi kanë qëlluar ndaj automjetit ku udhëtonte Tan Lepri dhe shoferi i tij, pranë Tregut Elektrik, kanë ndjekur rrugën “Mihal Grameno” për të kaluar në sens të kundërt në segmentin e Unazës që lidhet me Rrugën e Elbasanit. Pikërisht, një pjesë e këtij segmenti të Unazës është në fushëpamjen e kamerave të sigurisë, të cilat, sipas Prokurorisë, mund të kenë filmuar së paku motorin me të cilin lëviznin dy atentatorët, të cilët kanë qenë me skafandra në kokë. Sipas hetuesve, pamjet e marra nga kamerat e sigurisë mund të jenë një element i rëndësishëm për identifikimin e motorit të përdorur nga dy personat e panjohur, çka mund të çojë kështu drejt pronarit të këtij mjeti. Dyshimet pritet të konfirmohen pasi të shihen të gjitha pamjet që përkojnë me orarin e atentatit, ndërsa rezultatet e kamerave të sigurisë mund të jenë një element i rëndësishëm për grupin e hetimit. Burimet thonë se deri tani ende nuk ka një motiv të qartë mbi ngjarjen që për pak i mori jetën Tan Leprit, personazh i njohur në kryeqytet për lidhjet e tij me politikën. Policia në bashkëpunim me Prokurorinë kanë ngritur disa pista hetimore, ku dy më të rëndësishmet lidhen me biznesin e ndërtimit dhe aktivitetin e biznesit që Tan Lepri ka në Kosovë. Fillimisht hetuesit thanë se atentati ndaj tij mund të jetë porositur nga Kosova, për shkak të konflikteve që mund të jenë krijuar gjatë kohës që Dritan Avllaj ka qëndruar në Prishtinë. Ky fakt është konfirmuar edhe nga aktiviteti i biznesit që Avllaj ka në Prishtinë, që sipas policisë mund të jetë pasuar nga ndonjë mosmarrëveshje. Ndërsa pista e dytë më e rëndësishme që po hetohet aktualisht ka të bëjë me biznesin e ndërtimit në Shqipëri. Kjo është një nga arsyet përse grupi hetimor i ngritur për ngjarjen po heton tre atentatet e ndodhura në kryeqytet ditët e fundit.