E Shtunë, 31 Tetor 2026

LDK: Qeveria e paaftë për të plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave

Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës është shprehur i gatshëm për të miratuar të gjitha ligjet që kanë të bëjnë me udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, por gjithashtu ka deklaruar se kjo Qeveria është e paaftë për të plotësuar kushtet që parashihen në procesin e liberalizimit të vizave. Nuk ka munguar edhe reagimi i PDK-së për këto akuza, duke i quajtur ato hipotetike dhe pa asnjë bazë.

Gjithashtu gjatë seancës të së enjtes, edhe Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka kritikuar miratimin e Ligjit për ndërtimin.

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi në emër të Grupit Parlamentar, duke folur për udhërrëfyesin për liberalizim të vizave që do t’i dorëzohet sot Kosovës, ai ka kritikuar edhe Qeverinë e Kosovës, duke thënë se nuk është e aftë t’i plotësojë kushtet që dalin nga ky proces.

“Kushti i parë është luftimi i krimit të organizuar, kjo qeveri nuk është e aftë ta bëjë luftimin e krimit të organizuar. Kushti i dytë është luftimi i korrupsionit, kjo qeveri nuk është e aftë ta bëjë luftimin e korrupsionit, sepse është vetë pjesë e saj, nëse jo udhëheqëse kryesore. Kushti i tretë është luftimi i trafikimit me njerëz, kjo qeveri dhe përfaqësues të saj janë të përfshirë në këto procese”, tha Gashi.

Por menjëherë erdhi reagimi i deputetit i PDK-së, Shaip Muja i cili ka thënë se deputeti Gashi më shumë foli për të promovuar veten në televizion, se sa për të ofruar dëshmi.

“Parafolësi i jonë në mënyrë hipotetike ngriti disa çështje që nuk është asgjë e re, e më shumë është për me u reklamuar në televizion dhe qëndrimet e Qeverisë janë permanente për t’u angazhuar në dukuri të cilat i foli. Mirëpo se çka bënë Lidhja Demokratike ne e dimë dhe elektorati. Prandaj mund t’ju uroj sukses të afirmoheni tjera herë”, ka theksuar Muja.

Ndërkohë deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Liburn Aliu ka thënë se javën e kaluar ka qenë në Komisioni për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural ka marr pjesë në një seminar në Stamboll për Ligjin për ndërtim dhe sipas tij nga ky seminar ka dal që ky Ligj nuk është marr nga Gjeorgjia, siç është thënë deri më tash.

“Doli që ne nuk e paskemi ligjin as të Gjeorgjisë, në shumë pika e kur bëhet fjalë për fazën kontrollit dhe ndërtimit. Ligji i ndërtimit, i miratuar në këtë Kuvend, lejon që ndërtesat ku jetojnë numër i madh i familjeve, objektet të cilat në vendet e tyre punojnë shumë punëtor të mos kontrollohen profesionalisht as në fazën e projektimit dhe ndërtimit”, ka theksuar Aliu.

Ai kërkoi nga Presidentja Atifete Jahjaga që ta kthejë prapa Ligjin për ndërtimet, i cili është miratuar javë më parë në Kuvend.

Por kryeparlamentari Jakup Krasniqi ia bëri të qartë të drejtat që ka Presidentja në rastin e kthimit të ligjeve prapa.

“Nuk e ka Presidentja të drejtën me Kushtetutë që ta kthejë asnjë ligj që nuk është në ndeshje me Kushtetutën dhe ju deputetë duhet ta dini këtë”, u shpreh Krasniqi.

Ndërkohë deputetja, Aurora Bakalli nga Lëvizja për Bashkim, ka folur për gjendjen e rëndë në institucionet shëndetësore.

“Institucionet shëndetësore publike në vend janë duke u degraduar çdo ditë e më shumë, gjendja në këto institucione është shqetësuese. Mungesa e madhe e barëra dhe materialit shpenzues, mos funksionimi i aparaturës, listat e gjata të pritjes janë vetëm disa problemet në këto institucione”, ka theksuar Bakalli.

Ajo ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të merr hapa në përmirësimin e kësaj gjendje.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›