E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryekomunari i Lazaratit: Kultivohet kanabis, po nuk është aq problem

TIRANË- Në Tiranë u zhvillua takimi vjetor për luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike me pjesëmarrjen e drejtuesve vendorë, të pushtetit lokal, drejtues të policisë në qarqe si edhe përfaqësues të OSBE-së. I pranishëm në aktivitet ministri i Brendshëm, Bujar Nishani u shpreh se lufta ndaj narkotikëve është prioritet i organeve ligj zbatuese.

“Vitet e fundit janë arritur rezultate më të mira në luftë ndaj këtij fenomeni për këto 5 vitet e fundit duke e reduktuar kultivimin e bimëve të kultivuara përafërsisht 5 herë. Paralelisht në fazën përgatitore ju duhet të përqendroni maksimalisht forcat për një goditje të fuqishme gjatë fazës së kultivimit të bimëve narkotike”, tha Nishani.

Ndërsa ambasadori Wollfarth i pranishëm në këtë aktivitet u shpreh se “Ne e shohim policinë e shtetit shqiptar shumë të angazhuar në këtë luftë. Ndonëse janë bërë përmirësime të ndjeshme të tjera sfida shtrihen përpara, probleme të rëndësishme ende presin zgjidhje. Lejomëni të përmend si shembull cështjen e hershme të kultivimit të drogave në disa komuna në jug dhe veri të vendit, që tregon qartë se policia e shtetit nuk mund të bëjë gjithçka e vetme për ta zhdukur këtë problem. Bashkitë dhe komunat kanë detyrim ligjor, moral dhe qytetar të bashkohen me policinë e shtetit shqiptar, në detyrën e saj për të luftuar kultivimin dhe trafikimin e drogës”, tha ai.

Një nga zonat më problematike për kultivimin e narkotikes është komuna Lazarat, ku kryetari i kësaj komune shprehet se po punohet me policinë për ndalimin e kultivimit.

“Në Lazarat kultivohen bimë narkotike, por nuk është aq problem sa e bëni ju. Ka gjasa të kultivimit, po e luftojmë si fenomen, mendojë që do t’ja arrijmë qëllimit që ta eliminojmë nga harta”, shprehet Dashnor Aliko.
(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›