E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votimi i vendit vakant për KLD përcan edhe të majtën

TIRANE-Kryetari i Partisë Social Demokrate (PSD), Skënder Gjinushi theksoi sot se pas zhvillimeve të djeshme për votimin e anëtarit të KLD në Parlament, Kuvendi nuk ekziston më si institucion dhe opozita po ashtu. Por, kryesocialisti Rama reagoi menjëhere rreth deklaratës duke e vlerësuar tërësisht të gabuar.

Sipas kreut te PSD, zhvillimet e fundit në politikë dëshmuan se Presidenti është zhveshur tërësisht nga pushteti, ndërsa opozita është nënshtruar në Kuvend. 

"Zhvillimet e djeshme politike treguan dhe njëherë se Kuvendi nuk ekziston më si një institucion demokratik në Shqipëri, se Presidenti i Republikës është i zhveshur nga kompetencat e tij kushtetuese dhe se Gjykata Kushtetutese bën vetëgjyqësi me vetë Kushtetutën apo me vendimet e tjera të mëparshme dhe se fatkeqësisht opozita parlamentare është inekzistente. Pas Gërdecit, 21 Janarit, ky nuk është faji i Sali Berishës, por është faji opozitës parlamentare e drejtuar në mënyrë të gabuar. Lidershipi i PS-së dhe disa të prenotuarve të Saliut në PS e kanë kthyer opozitën në një grup me pa të drejta të dhunuar dhe poshtëruar”.

Edi Rama
Menjëherë pas prononcimit të Gjjinushit, kryesocialisti Edi Rama reagoi në rrjetin social Twitter duke shprehur keqardhje për deklaratat e kreut të PSD. Rama theksoi se Gjinushi gabon kur kërkon që PS të reagojë si parti e vogël.
“Keqardhje për prononcimin e mikut Gjinushi.Aleati ynë gabon që akuzon PS për fajet e Saliut e që kërkon nga PS të reagojë si parti e vogël”. 

Më tej, Rama theksoi se PS do kërkojë ndryshim në kodin zgjedhor dhe më zërin e aleatëve.
‘PS kërkon njëzëri me aleatët ndryshim në sistemin zgjedhor. Po kjo s'bëhet dot as pa konsensusin e palës tjetër, as duke akuzuar kot PS!”.

Votimi i Cefes ne Kuvend
Votimi i Elvis Çefës si anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në vend të Kreshnik Spahiut ka sjellë debate të ashpra mes deputetëve të Partisë Socialiste dhe atyre të Partisë Demokratike, për mënyrën e votimit me elektronikë të kundërshtuar nga deputetët e majtë. Fillimisht u ra dakord që votimi të ishte i fshehtë me kuti. Debati nisi pikërisht kur Sekretariati i Votimit, i përbërë nga deputetët, Viktor Gumi (PD), Arenca Trashani (PD) dhe Armando Subashi (PS) po përgatiste kutitë për një votim manual. Situata u tensionua pasi mazhoranca kërkoi që fletët të firmoseshin nga Sekretariati i Votimit në momentin kur deputetët do të paraqiteshin për t'i tërhequr ato. Socialistët duke iu drojtur faktit se fletët do të firmoseshin në mënyra të ndryshme që mund të identifikonin votën e deputetëve të caktuar, kërkuan ose firmosjen e të gjitha fletëve para votimit ose vulosjen e tyre. Kjo nuk u pranua nga mazhoranca. 

(d.b/BalkanWeb)
Lidhje te tjera Votimi i vendit vakant për KLD, PD-PS sherr në Kuvend

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›