E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryekuvendari Krasniqi përgëzon Jozefina Topallin

Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i dërgoi një telegram urimi, kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topallit.

Në telegram thuhet: Në emër të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe në ermin tim personal, me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Shqipërisë, kam kënaqësinë dhe nderin e madh t’ju shpreh urimet më të përzemërta dhe më të sinqerta juve dhe tërë popullit shqiptar.

Në këtë vit të shënuar të historisë së kombit tonë, në këtë vit të ditëlindjes së madhe kombëtare, kujtojmë dhe nderojmë me respektin më të thellë të gjithë ata atdhetarë dhe luftëtarë shqiptarë, që me përkushtimin e tyre vetëmohues ndërtuan shtetin shqiptar dhe mbrojtën pavarësinë e tij.

Sot ne jemi krenar për Shqipërinë. Puna dhe reformat e mëdha e të gjithanshme kanë bërë që Shqipëria çdo ditë e më shumë të jetë më afër integrimit në Bashkimin Evropian.

Kjo ditë e shënuar për kombin tonë, më jep rastin, t’ju siguroj për angazhimin tim dhe të Kuvendit të Kosovës për të vazhduar thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona të shkëlqyera dhe të partneritetit të ngushtë midis shteteve tona, nëpërmjet bashkëpunimit të frytshëm në të gjitha fushat me interes të përbashkët, transmeton REL.

Ju lutem zonja Kryetare, pranoni shprehjen e konsideratës sime më të lartë për Ju dhe për popullin e Shqipërisë”, theksohet në telegramin e kreut të legjislativit të vendit, Jakup Krasniqi, ka njoftuar Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës./Indeksonline/  

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›