E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha viziton bazën e rezervave ushqimore në Gjadër dhe merr pjesë në mbledhjen e shtabit të emergjencës civile në Shkodër

-          Kryeministri garanton qytetarët e zonave të përmbytura se sapo të bëhet e mundur përllogaritja e dëmeve dhe se ata do të zhdëmtohen plotësisht në përputhje me ligjin e digave

Kryeministri Berisha vizitoi sërish sot Shkodrën ku u njoh më nga afër me situatën e krijuar pas përmbytjes në këtë qark, si dhe me planin e shpërndarjes së ndihmave për banorët në vështirësi.

Fillimisht, Kryeministri Berisha u ndal në Drejtorinë e Përgjithshme të Rezervave të Shtetit, në Gjadër, prej nga 4 helikopterë po niseshin me ndihma për banorët e zonave në nevojë dhe në një urgjencë mjekësore.

Kryeministri Berisha u takua me pilotët, të cilët i përgëzoi dhe i falënderoi për gatishmërinë dhe kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë në këto ditë të vështira për banorët e zonave të përmbytura. Ju me 450 fluturimet që keni realizuar, - u shpreh Kryeministri, - ia keni dalë të ndihmoni dhe të shpëtoni mijëra qytetarë në vështirësi të mëdha. Kryeministri Berisha i falënderoi pilotët edhe për ndihmën që dhanë në transportimin e 21 vjeçares Violeta Marku nga Velipoja në Lezhë, e cila ndodhej në kushte të vështira për lindjen e fëmijës. “Unë po vij nga Lezha dhe atje vizitova Violetën, nënën e re që ju e transportuat nga Velipoja për në Lezhës. Shpëtimi i asaj nëne, në këtë problematikë jo të vogël, është një mrekulli e vërtetë. Ju përgëzoj dhe ju falënderoj për punën e shkëlqyer që keni bërë”, u shpreh Kryeministri Berisha.

Më pas, Kryeministri Berisha mori pjesë në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile, i vendosur në Prefekturën e Shkodrës.

Më gjerësisht në fjalën e mbajture në këtë mbledhje, Kryeministri Berisha u shpreh:

“Edhe një herë dua të përshëndes qytetarët e Shkodrës, të nën Shkodrës dhe të të gjitha zonave të përmbytura, për kurajën, guximin, mençurinë, përkushtimin dhe sakrificën më të cilën përballuan dhe po përballen në këtë situatë të përmbytjes më kritike që ky qytet dhe këto zona kanë njohur në 150 vjetët e fundit. Kjo fatkeqësi e madhe natyrore mori përmasa të papara, përmbyti mbi 14 mijë hektarë, një përqindje të madhe të qytetit të Shkodrës, shpërnguli mbi 14 mijë qytetarë nga vatrat e tyre familjare, përmbyti mijëra e mijëra shtëpi, por kjo fatkeqësi e madhe natyrore, deri më sot, nuk mori dot as edhe një viktimë të lidhur direkt me të. Kjo përbën një arritje shumë të madhe, sepse në një sipërfaqe të tillë, disa metër nën ujë, nuk ka asgjë më të vështirë se të ndihmosh atë që është në nevojë dhe të evakuosh me urgjencë. Por kjo ka ndodhur.

Unë isha në spitalin e Lezhës dhe ajo foshnje përbën një mrekulli të vërtetë të operacioneve tuaja, një vetëmohim të ekipit mjekësor, i cili pas mesnate u nis me një varkë drejt destinacionit dhe kur varka nuk ecte më i kanë marrë në shpinë e kanë kaluar në mënyrat më të vështira për të arritur tek nëna e re që po lindte. Unë i përgëzova dhe pilotët, të cilët fluturuan në kushte shumë të vështira dhe i transportuan ata në spitalin e Lezhës. Unë po vij nga Gjadri, ku takova ekipin e pilotëve që sapo kishin transportuar nga mali i Jushit një tjetër të sëmurë. I gjithë përqendrimi ynë, para së gjithash dhe mbi të gjitha, duhet të jetë në urgjencën mjekësore. Ne duhet të bëjmë gjithçka, pavarësisht nga kushtet dhe rrethanat shumë të veçanta, të ndihmojmë çdo qytetar në urgjencë për shëndetin e tij. E kemi bërë këtë me një përgjegjësi shumë të lartë dhe eficencë shumë të madhe.

Një nga specialistët e huaj në këto përmbytje është shprehur, te kryetari i bashkisë dhe prefekti i qytetit, se ju keni bërë një kryevepër në këto operacione të jashtëzakonshme dhe se thelbi i saj është se çdo gjë e keni bazuar në ndjenjat njerëzore. Kjo është e vërteta. Së çfarë do që të bëje, po të mos ishin ato, gjërat mbeteshin rrugës. Ky përkushtim bëri realisht një operacion të paimagjinueshëm, për çka keni përgëzime shumë të mëdha ju dhe të gjithë punonjësit e ushtrisë, policisë, emergjencës civile, shëndetësisë, pushtetit vendor, qeveritarëve lokalë, këshillave, rezervave të shtetit, të cilët morën pjesë në këto operacione në një vështirësi të paparë më parë. Ju të gjithë ia keni dalë të qëndroni në lartësisë më të madhe të detyrës.

Mirënjohje shumë të veçantë kanë edhe vendet mike, të cilat iu përgjigjën me shumë bujari dhe shumë ndjeshmëri përmbytjes së madhe që u krijua në Shkodër dhe nën Shkodër. Ata kanë dërguar forca të armatosura, helikopterë. Unë po vij nga Gjadri dhe helikopterët e vendeve mike, Turqisë dhe Greqisë, kishin kryer nga 16 operacione ditën e sotme. Këto ditë 450 operacione ka kryer njësia shqiptare e forcave të armatosura. Me mijëra operacione janë kryer edhe me varka. Njësitë e ardhura nga Kosova, Maqedonia dhe disa rajone të Italisë po punojnë ditë e natë me forcat tona të emergjencës, ekipet e dërguara nga NATO, nga vendet mike si Rumania dhe Hungaria, të cilat po merren me problemin delikat të argjinaturave. Vende të tjera kanë kontribuar në financiarisht, ilaçe dhe mjete të tjera.

Faktikisht, situata është në lehtësim dhe përmirësim. Pozitive është se sot janë mbi 3335 qytetarë që janë kthyer në shtëpitë e tyre, se uji është tërhequr dhe sot janë 10900 e  jo më 14 mijë hektarë tokë nën ujë, se qyteti është i kalueshëm në aksin e tij kryesor, se numri i shtëpive të rrethuara nga uji apo nën ujë është pakësuar me 1200. Pra situata është optimiste dhe në përmirësim të qartë. Sikundër kam kënaqësinë të informoj qytetarët e Shkodrës se janë miratuar pesë projekte të ndërhyrjeve, të cila u japin përgjigjen më të merituar sistemeve të ujërave të zeza, stacioneve të pompimit të ujësjellësve, sistemeve të ujërave të bardha, byepass-i dhe pjesa shtesë e tij. Pra janë një seri projektesh që disponohen dhe do të ecin pa ndërprerë drejt finalizimit të tyre. Një punë intensive është bërë për të arritur në konkluzione përfundimtare për të Bunën dhe shumë shpejt do të ketë një qëndrim të bazuar në mendimin e ekspertëve, ndër më të mirët në Evropë dhe në botë. Në shqyrtimin e problemit të Bunës janë angazhuar gjatë këtij viti specialistët më të shquar të Italisë, Britanisë së Madhe, etj. Ne presim finalizimin e një koncepti tërësorë të qëndrimit ndaj Bunës për të filluar ndërhyrjet. Sikundër, me përparësi, do të vazhdojë përfundimi i argjinaturave së Kirit, një lum me potencial agresiv të veçantë ndaj qytetit.

Pra ka një përballje shumëplanëshe në këtë periudhë. Ju vërtetë merreni me operacionet e shpëtimit, me operacionet e ndihmave, të shpërndarjeve të ushqimeve dhe deri më tani janë shpërndarë mbi 1100 ton ushqime, janë shpërndarë 460 ton ushqim për blegtorinë. Të mos harrojmë se të gjitha këto janë bërë në kushtet më të vështira dhe këto operacione vazhdojnë.

Ka një dëmtim në blegtori dhe deri tani, konkretizuar, është me 1500 kokë. Kryesisht janë lopë, më shumë derra, të imta, kuaj, mushka dhe janë groposur. Derrave dhe kafshëve të tjera i janë bërë vaksina për t’i mbrojtur nga sëmundjet dhe parandalimi i epidemive në to. Po bëhen përpjekje të mëdha për të furnizuar me ushqim dhe për të vënë në kontroll sanitar të gjitha stallat e tyre. 

Unë, edhe një herë, duke falënderuar me shumë mirënjohje të gjithë qytetarët, biznesmenët dhe autoritetet vendore për solidaritetin e tyre të jashtëzakonshëm që kanë dëshmuar ndaj qytetarëve të Shkodrës dhe zonave të tjera të përmbytura, u bëj thirrje qytetarëve dhe qeveritarëve vendorë që aty ku kanë bazë ushqimore që mund ta disponojnë për komunat e përmbytura të mos hezitojnë. Sikundër, shtabi i emergjencës duhet të vendosë të gjithë vlerat monetare në dispozicion për blerjen e ushqimit për bagëtinë dhe blerjen e ushqimit sasive sa më të mëdha. Dua të theksoj se këto zona kanë blegtori të racave më të mira dhe ne duhet të bëjmë çdo gjë që ato t’i ushqejnë dhe të mbajnë jo në kushte minimale dhe urie, por në kushtet më optimale të mundshme.

Duket ardhur këtu më informojnë se bashkia e Kamzës, komuna të Kavajës, Mbrostari e Kumani kanë grumbulluar 45 ton ushqime dhe i kanë nisur drejt bazës ushqimore. Biznesmenë shqiptarë nga Maqedonia kanë siguruar sasi të mëdha dhe do të transportohen. Komuna nga Kosova anë mobilizuar dhe po sjellin sasi të mëdha ushqimi për bagëtinë. Ne u jemi shumë mirënjohës.

Ministria e Bujqësisë dhe ministria e Brendshme, në bashkëpunim me autoritetet vendore të komunave të vendit, duhet të identifikojnë të gjitha rezervat që ekzistojnë në mënyrë që blegtoria e këtyre zonave të mbahet në kushtet normale. Situata është e tëra nën kontroll.

Duhet t’i garantoj qytetarët e zonave të përmbytura se sapo të bëhet e mundur përllogaritja e dëmeve dhe se ata do të zhdëmtohen plotësisht në përputhje me ligjin e digave. Çdo vend i lirë ka një ligj për digat dhe ligji është universal. Ky ligj detyron autoritetet të zhdëmtojnë gjithçka që lidhet me praninë e digave. Mbi këtë bazë është bërë përllogaritja dhe zhdëmtimi një vit më parë, po mbi këtë bazë do të bëhet edhe këtë vit. Unë kërkoj mirëkuptimin e qytetarëve, sepse kjo bëhet me një procedurë serioze vlerësimi dhe aty ku ka ende ujë nuk mund të bëhet asnjë vlerësim. Pas largimit të ujit ne do të qëndrojmë plotësisht mbi bazën e këtij ligji, i cili i detyron autoritetet dhe përcakton qartë rrugën që ndiqet për zhdëmtimin. Nga qytetarët kërkojmë vetëm që të kenë durim sa të largohet uji, në mënyrë që përllogaritja e dëmeve të jetë e saktë, e besueshme, konkrete. Gjithashtu, ju ftoj të bëjmë çdo gjë, me përkujdesin më maksimal, që të mos kemi pasoja në shëndetin e njerëzve. Në këto kushte, unë ju përgëzoj për të gjitha masat që keni marrë në çdo gjë.

Qeveria dhe autoritetet e vendit janë të tëra në mbështetje tuaj. Asnjë qytetari, punonjësi apo pensionisti nuk do t’i preket asnjë qindarkë e vetme, me urdhër administrativ, për zonën e përmbytur. Kjo është jashtë çdo lloj koncepti apo morali. Unë e di që nuk ka, por sot pash përsëri tituj. Ai vazhdon prapë me mesazhe, sepse ka një mani të çmendur pas mesazheve. Një ditë nxjerr gjarpërinj, një ditë nxjerr gjoba, një ditë vjen këtu dhe zgjedh me hunj dhe karrige Ketin kryetare.

Asnjë punonjësi të këtij vendi nuk do t’i mbahet asnjë qindarkë e vetme, as në rroga e as në pensione. Ne vlerësojmë plotësisht atë çfarë mund të japin me dëshirë të tyre. Ne kemi potenciale për t’ju përgjigjur në çdo gjë kësaj përmbytje. Natyrisht, solidariteti është shumë i mirëpritur. Ne jemi mirënjohës për çdo lloj ndihme që secili qytetar mund të japë në gjestin e një njerëzie dhe vëllazërie ndaj atij që është në fatkeqësi. Pra, edhe një herë sms-të kthejani se është bërë i papërmbajtur”.


13/12/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›