Kryeministri Berisha vizitoi në maternitetin e Lezhës 21 vjeçaren nga Velipoja
Kryeministri Berisha, së bashku me bashkëshorten znj. Liri Berisha, ishte sot në Lezhë për të vizituar 21 vjeçaren Violeta Marku, nga Velipoja, e cila mbrëmjen e së shtunës solli në jetë një djalë dhe ndodhet e shtruar në maternitetin e këtij qyteti. Gjatë vizitës, Zonja Berisha i bëri disa dhurata Violetës për foshnjën e saj.
Duke i uruar jetë të gjatë dhe lumtur djalit të sapolindur të familjes Marku, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohje dhe falënderoi ekipin mjekësor, i cili mesnatën e së shtunës dhe në një terren jashtëzakonisht të vështirë ia doli të arrijë në këtë familje, të asistojë në lindje dhe të shpëtojë jetën e nënës e të foshnjës.
Më gjerësisht në prononcimin e tij për mediat e pranishme, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Violetës dhe djalit të saj dua tu uroj jetë të gjatë, shëndet, gëzime, të rritet i lumtur me prindërit dhe gjithë familjen e tij. Mirënjohje shumë të madhe dua t’i shpreh ekipit mjekësor, i cili në mesnatë, me varkë dhe në një teren jashtëzakonisht të vështirë, ia doli të arrij në familjen e Violetës, të asistojë në lindjen e saj dhe të shpëtoje dy jetë, të nënës dhe të fëmijës. Kjo është një dhuratë e madhe që ky ekip, me sakrificën e tij, i bëri vendit dhe çdo qytetari. Në rast se Violeta nuk do të ndihmohej do të ishte brengë jashtëzakonisht e madhe.
Dua të falënderoj të gjithë ekipet mjekësore të vendit dhe të kësaj zone, të cilët në këto kushte u janë përgjigjur urgjencave me përgjegjësinë më të madhe. Urgjenca në këto zona deri më sot kanë funksionuar sikur ato të mos ishin të shndërruara në det, sikurse janë. Po të hedhësh sytë nga Torovica drejt Bushatit të krijohet përshtypja se një valëzim deti ndalon te diga e Torovicës. Të tilla janë përmasat e kësaj përmbytje, por edhe përpjekja jonë për të shmangur pasoja fatale mbi jetën e njerëzve është e jashtëzakonshme. Kjo vjen e para, të tjerat i zgjidhim.
Pra, është e rëndësishme që kjo familje feston Krishtlindjet dhe Vitin e Ri me një djalë si drita dhe me nënën e re, 21 vjeçare, në shëndet të plotë .
Le tu urojmë gëzuar djalit dhe Violetes, si dhe të falënderojmë edhe një herë ekipin mjekësor për vetëmohimin që kanë treguar. Zonja më thotë se kur varka nuk shkonte më tutje, banorët i kanë transportuar në krah së bashku me mamitë, sepse nuk kalohej. Kjo është vërtetë një sakrificë e madhe, por rezultati është i kënaqshëm”.
13/12/2010