Workshop për Certifikimin Elektronik të Firmës: Avantazhet që do të kenë kryerja e këtij shërbimi për institucionet dhe qytetarët
Sot, në ambientet e Hotel Tirana Internacional, nën kujdesin e Ministrit për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Z. Genc Pollo dhe Autoritetit Kombëtar të Certifikimit Elektronik, Posta Shqiptare Sh. a. organizoi workshop-in me temë “Posta Shqiptare, ofruesi i pare dhe i vetëm i shërbimeve të certifikimit elektronik në Shqipëri. Sfidat aktuale dhe perspektivat e këtij shërbimi në Shqipëri.”
Në fjalën e tij gjatë workshop-it Ministri Pollo tha: “Posta Shqiptare është operatori i parë që arrin të lëshojë në tregun shqiptar, por edhe më gjerë, certifikatat elektronike ose digjitale, që do të ndihmojnë shumë në komunikimin, identifikimin në distancë e shumë shërbime, të cilat deri tani kryheshin vetëm me praninë fizike të përdoruesit.
Tani janë të gjitha mundësitë që çdo shtetas shqiptar i interesuar të nënshkruajë kontrata, të marrë pjesë në prokurimet publike me mjete elektronike, të regjistrojë biznesin në disa minuta dhe në një të ardhme të afërt të votojë në mënyrë elektronike, ose nëpërmjet internetit, pa qenë i pranishëm fizikisht, vetëm falë nënshkrimit elektronik.
Posta Shqiptare në ofrimin e shërbimit të nënshkrimit elektronik do të ketë specifikën e saj, para së gjithash për shtrirjen gjeografike në të gjithë territorin e Shqipërisë. Por gjithsesi Posta Shqiptare do të pasohet edhe nga ofrues të tjerë të shërbimit të certifikimit elektronik, pasi ne gjithmonë operojmë në një treg të hapur.”
Çfarë është nënshkrimi elektronik?
Nënshkrimi elektronik përdoret për të njëjtën arsye si nënshkrimi klasik i bërë dorazi. Nënshkrimi dorazi tregon aprovimin e nënshkruesit, siguron origjinalitetin e dokumentit, lidh nënshkruesin me dokumentin, ka vlerë ligjore dhe ka një rol ceremonial. Nënshkrimi elektronik, i cili aplikohet në dokumentin elektronik, përjashto rolin ceremonial, ka të njëjtat cilësi me atë të bërë dorazi. Nga ana teknike, nënshkrim elektronik konsiderohen të dhëna në formë elektronike që integrohen në një dokument elektronik, për të ruajtur origjinalitetin e dokumentit dhe për të vërtetuar dërguesin/marrësin. Nënshkrimi elektronik është i sigurt dhe i besueshëm në origjinalitetin e tij. Kjo bën që shumë marrëdhënie të kryhen online, p.sh. lidhja e kontratave, kryerja e blerjeve, veprimet bankare, prokurimet, etj.
Avantazhet që do të kenë klientët?
Posta Shqiptare në ofrimin e shërbimit të nënshkrimit elektronik do të ketë specifiken e saj, së pari, për shtrirjen gjeografike në të gjithë territorin e Shqipërisë, së dyti, duke qenë një institucion shtetëror dhe me shumë aktivitete të tjera biznesi do të emetoje siguri tek klientët, dhe së treti, asistenca italiane, e mbështetur në përvojën dhe njohuritë shumëvjeçare ne fushën përkatëse do të shtojë garancitë teknike aq të rëndësishme për ketë aktivitet. Mendohet që Posta Shqiptare të pasohet edhe nga ofrues të tjerë të shërbimit të certifikimit elektronik.
Korrespondenca brenda dhe jashtë institucioneve kryhet me shkresë letër të firmosur dhe vulosur nga titullari i institucionit. Mesatarisht në vit, një ministri përpunon rreth 30 mijë shkresa, konsumon rreth 3500 pako letër format (1 milion e 750 mije flete) dhe rreth 750 kuti boje (printer, faks, fotokopje). Secila nga këto shkresa brenda institucionit kërkon disa orë përpunim dhe jashtë institucionit mesatarisht 5 ditë. Si pasojë, do të minimizohet kostoja financiare dhe kohore, do rritet efektiviteti, fleksibiliteti, siguria, përgjegjshmëria dhe transparenca e administratës, rrjedhimisht edhe qytetari do të ketë shërbime më cilësore. Gjithashtu për pasojë do të minimizohet kostoja financiare dhe kohore, do rritet efektiviteti, fleksibiliteti, siguria, përgjegjshmëria dhe transparenca e administratës, rrjedhimisht edhe qytetari do të ketë shërbime më cilësore.
Kur ka filluar përdorimi i nënshkrimit elektronik?
Nënshkrimi i dokumenteve në mënyrë elektronike për herë të parë u ligjërua në vitin 1995 në shtetin Utah të SHBA (Utah Digital Signature Act) dhe në vitin 1997 ky ligj u adaptua në Gjermani dhe Itali. Përhapja e nënshkrimit elektronik në shtetet e tjera të BE, detyroi komitetin kompetent pranë Bashkimit Evropian të ndërhynte dhe në vitin 1999, u miratua direktiva kornizë (EU Directive 1999/EC), së cilës i përmbahen të gjitha ligjet e shteteve anëtare të BE. Edhe Shqipëria si pjesë e zonës ekonomike evropiane dhe kandidate për anëtarësim në BE, në vitit 2008 ka miratuar ligjin “Për nënshkrimin elektronik”, i cili mbështetet plotësisht në Direktivën Evropiane të cituar me sipër.
14/12/2010