E Diel, 1 Nëntor 2026

Prezantohen në Komisionin e Jashtëm dy kandidaturat për Ambasadorë në Mbretërinë e Belgjikës dhe Emiratet e Bashkuara Arabe

Komisioni për Politikën e Jashtme u njoh sot me dy kandidaturat e propozuara nga Ministria e Punëve të Jashtme për ambasadorë në Mbretërinë e Belgjikës si dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe. Përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme, Gazmend Turdiu prezantoi zotin Ilir Tepelena si kandidat për postin e ambasadorit të Mbretërisë së Belgjikës dhe zotin Behar Bejko në postin e ambasadorit të Emirateve të Bashkuara Arabe. Në prezantimin e zotit Ilir Tepelena, përfaqësuesi i MPJ vlerësoi përvojën e tij në përfaqësimin diplomatik të Shqipërisë në disa vende të ndryshme të Europës, si Romë, Madrid e Paris. Ndërsa në prezantimin e zotit Behar Bejko, përfaqësuesi i MPJ vlerësoi eksperiencën dhe njohjen e mirë të tij me vendet e Lindjes së Mesme. Në vijim, të dy kandidatët shpalosën objektivat dhe prioritetet e tyre mbi funksionin që do të ushtrojnë. Në këtë drejtim, zoti Ilir Tepelena theksoi se forcimi i marrëdhënieve midis Brukselit dhe Tiranës zyrtare do të jetë në qendër të detyrës së tij. Në mënyrë të veçantë ai vuri theksin tek rëndësia që ka forcimi i këtyre marrëdhënieve, si një impuls për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, pasi Belgjika pritet që në gjysmën e dytë në këtij viti të drejtojë presidencën e Bashkimit Europian. Në këtë kuadër, zoti Tepelena theksoi se do të punohet fort që gjatë presidencës belge të BE-së, të ketë lajme të mira dhe pozitive përsa i përket vlerësimit që pret Shqipëria për statusin e vendit kandidat. Nga ana e tij, kandidati për ambasadorin e EBA, Behar Bejko theksoi se një nga objektivat kryesore të tij do të jetë krijimi i urave lidhëse midis dy vendeve për një bashkëpunim më të mirë në fushën ekonomike, kulturore, politike si dhe sociale. Në mënyrë të veçantë, Bejko theksoi se rëndësi të veçantë do të ketë edhe promovimi i kulturës dhe turizmit shqiptar në Emiratet e Bashkuara Arabe. Pas prezantimit të të dy kandidatëve, Komisioni i Jashtëm vijoi punimet me dyer të mbyllura.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›