Kryeministri Berisha inaguron fillimin e punimeve në rrugën Burrel-Peshkopi
Gjatë vizitës dje në Burrel, Kryeministri Berisha përuroi fillimin e punimeve për ndërtimin e rrugës Mat-Muhërr, që lidh rrethin e Matit me atë të Dibrës. Në përurim, ku loti i parë me një gjatësi prej 5 kilometrash dhe me një vlerë rreth 47 milionë lekë, pritet të mbarojë brenda 60 ditësh, Kryeministri Berisha theksoi se qeveria do të vazhdojë ndërtimin e një infrastrukture moderne dhe revolucionin industrial, si kusht vendimtar që Shqipëria të bëhet një vend ndër më të zhvilluarit në rajon dhe më gjerë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u shpreh:
Së pari, dëshiroj t’ju përshëndes përzemërsisht dhe të shpreh kënaqësinë e madhe për fillimin e punimeve të kësaj rruge që bashkon dy qendrat kryesore të këtij qarku, Peshkopinë dhe Burrelin. Kjo rrugë, e cila do të jetë e standardeve ndërkombëtare, do të ndihmojë banorët e këtyre komunave, nga Peshkopia në Burrel, për të dalë më lehtë në treg, do të normalizojë transportin e tyre.
Shpreh kënaqësinë që festojmë fitoren me një inaugurim të tillë të rëndësishëm, që dëshmon premtimin e mbajtur. Dua t’ju garantoj se, sapo të përfundojë projekti i rrugës Rrëshen-Klos, edhe kjo rrugë do të fillojë në të gjithë trajektoren e saj. Sikundër do të ndërtojmë e asfaltojmë çdo rrugë të këtij rrethi, do të lidhim çdo komunë me rrugët kombëtare automobilistike, do të lidhim çdo fshat me rrugë të asfaltuara me qendrën e komunës.
Fushata mbaroi, zgjedhjet përfunduan, shqiptarët votuan. Matjanët dhe shqiptarët votuan për projektin europian, votuan për projektin për Matin europian, për Shqipërinë europiane, por i dhanë edhe ndëshkimin merituar alternativës së bazuar në shpifje, trillime, mashtrime, armiqësi të hapur ndaj korridorit të kombit, armiqësi të hapur ndaj zhvillimit të vendit. Një ditë dilte kundër rrugës, kundër korridorit të kombit, nesër ju garantoj se do të sulmojë rrugën e Arbrit, të cilën do ta ndërtojmë me shpejtësinë më të madhe. Dje u ngritën kundër investimeve në turizëm, kundër investimeve në energji. Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë Shqipërinë turistike. Ne do të vazhdojmë ta shndërrojmë Shqipërinë në superfuqi energjetike rajonale. Ne do të vazhdojmë të garantojmë furnizimin me ujë 24 orë të të gjitha familjeve shqiptare. Ne do të vazhdojmë revolucionin industrial, si kusht vendimtar që Shqipëria të bëhet një vend ndër më të zhvilluarit në rajon dhe më gjerë. Ndaj edhe në këto zgjedhje nuk ka të humbur. Të humbur janë vetëm ata, të cilët nuk kanë asnjë interes kombëtar, nuk kanë asnjë interes social, nuk kanë asnjë interes familjar, përveç interesave vetjake dhe klaneve mafioze, me të cilat janë të lidhur. Me ata do merret ligji. Ne së bashku do të vazhdojmë projektet për një Shqipëri që katër vitet e ardhshme do të jetë një Shqipëri krejt tjetër, një Shqipëri europiane.
Edhe një herë gëzuar dhe ju garantoj zoti kryetar se qeveria ime do të investojë dhe financojë çdo projekt tuajin, çdo projekt të komunave të Matit dhe të komunave të Shqipërisë.
17/07/2009