E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Rritja ekonomike e tremujorit të parë prej 6% ogur i mbarë për Shqipërinë

Kryeministri Berisha tha sot gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave se ekonomia shqiptare i rezistoi pasojave të krizës ekonomike botërore dhe tremujori i parë dhe më i vështirë i vitit, shënoi një rritje ekonomike prej 6 përqind.

“Ekonomia shqiptare nuk mund të thuhet se nuk u përball me pasojat e krizës, por më mirë se çdo ekonomi tjetër, ajo i rezistoi atyre. Rritja në tremujorin e parë prej 6 përqind është një ogur i mbarë për Shqipërinë, pasi dihet se ky tremujor, për disa arsye, është tremujori i vështirësive të natyrshme. I krahasuar me tremujorin e tretë, tremujori i parë ka diferencën e madhe të fluksit turistik, i krahasuar me të dytin, ka diferencën e madhe të fuqisë së pranverës, në të gjitha aspektet.”

Kjo rritje, u shpreh Kryeministri, qëndron, para së gjithash dhe mbi të gjitha, në bazat solide dhe të drejta mbi të cilat ne kemi vendosur ekonominë shqiptare dhe në reformat e thella ekonomike dhe fiskale.

“Këto reforma, - u shpreh ai - kanë bërë të mundur që Shqipëria të shndërrohet realisht në një magnet të investimeve të huaja. Vetëm dje, në Këshillin e Rregullimit të Territorit janë miratuar mbi 2.5 miliard euro investime, të gjitha të gatshme për start. Po finalizohet gara për portin gjigand të Vlorës. Në mbledhjen e ardhshme të KRRTRSH-së sërish janë mbi 1.5 miliard euro investime në fusha të ndryshme. Kjo rritje dhe qëndresë e ekonomisë shqiptare u bë e mundur nga revolucioni ynë fiskal. Kur kriza shpërtheu fuqishëm, qeveritë rendën pas bonuseve fiskale, të cilat ne i kishim vendosur dhe jo se kishim parashikuar krizën, por si kushte për të zgjeruar lirinë e tregut, si kushte për të vendosur Shqipërinë në orbitën e rritjes së shpejtë ekonomike dhe për ta bërë atë tërheqëse për investimet e huaja. Ekonomia jonë është mbi baza solide, ndaj ajo rritet. Ne, absolutisht si asnjë vend, kemi investuar në vitin e kaluar rreth 10 përqind të GDP-së në infrastrukturë dhe pikërisht të njëjtën gjë po bëjmë edhe këtë vit, ndërkohë kur vjet qeveria e dytë me investimin më të madh publik ka qenë me 5.5 përqind të GDP-së. Nuk them se këtë e bëmë nga kriza, por nga nevojat e mëdha të vendit për ndërtim dhe rindërtim. Por nga ana tjetër, kjo ka një efekt të fuqishëm në rritje, një efekt të fuqishëm në kërkesë dhe në stabilitetin e rritjes që ka Shqipëria.”

Kryeministri Berisha theksoi se tremujori i dytë dhe i tretë janë qartësisht më optimistë dhe rritja prej 6 përqind në tremujorin e parë është një tregues i mirë për këtë.

“Dy tremujorët që vijnë, mars-qershor dhe qershor-shtator, janë qartësisht shumë më optimistë. Nuk mund të them sa do të jetë rritja, pasi nuk mund ta paragjykoj dhe do të varet shumë nga kriza botërore e tremujorit të fundit, i cili ka peshën e vet. Por këto dy tremujorë janë në parametra si rrallë ndonjëherë. Tremujori i dytë është tremujori i investimeve më të fuqishme të vendit. Ndonjë gazetar do të mund të mendojë se ato ishin elektorale, por absolutisht jo. Investimet ishin të gjitha të programuara. Tremujori i dytë ishte tremujori i prodhimit më të madh të energjisë në historinë e vendit dhe eksportit të saj. Ky tremujor pati sezonin bujqësor më të mirë që ka njohur vendi,” u shpreh Kryeministri.

Kryeministri Berisha siguroi se nuk do të ketë asnjë moment vetëkënaqësie, por qeveria do të vazhdojë reformat dhe të gjitha përpjekjet për të konsoliduar rritjen ekonomike dhe për lehtësuar e mbështetur biznesin.

“Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë moment vetëkënaqësie, tha Kryeministri - por duhet që sikundër deri më sot, do të analizojmë ku janë shtrëngesat e tjera që duhet t’i heqim, ku janë barrierat e tjera që duhet të shembim, ku janë vështirësitë e tjera që duhet t’i lehtësojmë. Tremujori i parë me një rritje prej 6 përqind është oguri më i mirë që ne mund të merrnim. Kjo rritje është mbi parashikimin, jo të pesimistëve se kjo dihet, jo të skeptikëve, me të cilët nuk duhet të merremi, sepse e kanë shumë të vështirë e deficitar parashikimin, e kanë të shkretë e të varfër imagjinatën, por edhe të jo skeptikëve, të cilët shkonin tek 4 përqind.”

Duke i shprehur përgëzimet biznesit shqiptar dhe administratës për realizimin e këtyre reformave, Kryeministri Berisha shprehu optimizmin se janë të gjitha gjasat që kriza botërore ekonomike të kapërcehet me pasojat minimale. Nëse nuk do të kishte qenë kriza, tha Kryeministri, rritja do të ishte më e lartë.


15/07/2009

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›